>
LETERSISHQIP
Lulëzime Malaj

Vjeshtë Në Pyll

Hedh supeve pylli, velin e florinjtë,
Rreze vjeshte baret nën drurë.
Ros’ e egër nëpër kënetë,
Gagarit mbi panjën e arrirë.

Flet’ e pemëve shkëputen,
Më bien supeve pirouette,
Si në meshë vjeshtës i luten,
Të shtroj’ qilimin e kuqërremtë.

Një deg’ e florinjtë përkulet,
Dhe shi fletësh bien prore.
Në heshtje pylli i përulet,
Diellit me dritë argjëndore.

Drejt një shtegu që humbet,
Nga bar’ i dendur nën pemë,
Mështeknës si shandan në rresht,
I këpus një thupër t’bardhëllemë.

Shteg i verdhëz më çon tutje,
Ku koçimaret jan’ ndezur zjarr,
Emocionuar hapat hedh me ngutje,
Përtej boronicat me të kuq’ lar’.

Ja, simfoni ngjyrash platiten!
Lejlekët, foletë lën’ e mërgojnë.
Veç hëna me syn’ e venitur,
Kthimin e tyre ëndërron.