>
LETERSISHQIP

Brigje

Në breg të natës
malet zgjidhin shajet e mjegullës
i lëshojnë luginës së përhimë
e bari i njomë
ngrin nën brymë…

Në breg të qiellit
retë kafshojnë diellin e dritën
dhe era, veten
Zhvishet gjethnaja, gjithnaja
pemët zgjasin duart
pëshpëritin lutje
si lypsit, trotuarëve…

Në breg të përroit
statujat shkëmbore
varin këmbët në ujra
të qetojnë thembrat,
me kallo të gjakosura…

Në breg të zjarrit
thëngjijtë e shuar
përgjojnë vdekjen e gacës
së pakallur
në pirg të hirit…

Në breg të mendimit, dyshimit
zemra ngul çengelat
prej venash të këputura,
të pamundura
E shpirti rrëzohet
honeve të humbura…

Në breg të pritjes, fjalës e faljes
durimi kërcet dhëmbët,
të ftohtit gjer në palc…