>
LETERSISHQIP

Udhë E Prerë

Jam grua
Mos ma pritni rrugën
Udha ime zë fill nga firoma e gjallë
me tingujt e të qarës
e përgjakje mitre
nga shkulma dhimbjeje
prej femre-nëne…

Mos më ndalni
që të var kokën si lule dielli
veç me një stinë jete
Dua të eci si erë
me zërin e pyllit
dhe tingujt e lumit
Me valsin e ëndrrës
dhe ngjyrën e lules…

Ja!
Lulëzon e çel në çdo stinë
më thith etjen e gjakut
si zjarr i egër më ndjell mëkatin
prej zotit falur…
E çdo petale
si pergamenë delikate
e shkruar me buzën
më erëmon kurmin…

Vetë e kam mbjellë
me farën e retinës së syrit
puthur nga dashuria
E ju
me urrejtjen tuaj
e veshët me cipë metali
të më sharrojë ashtin
aty ku kisha gjurmen
e ma pretë udhën…

Unazën e gishtit
prangën e artë ma bëtë lak
Më mbytët e vërvitët
me çmimin e turpit
Ndaj,
ju laj rrugën
me dromcat e gjakut
vjellë për ju
që s’munda t’ju pështyj…

Ecni tani
rruga është e lirë
kapërceni mbi ulërimë…