>
LETERSISHQIP
Marjeta Shatro Rrapaj

Iluzion Varësie

Tani ndihet
mpirje totale,
kllapi frike,
mungesë shtyse,
paaftësi lëvizjeje.
Ca mendime të errëta
çojnë shtigjeve të vjetra në parqe,
ku shpirtplagosurit nga fjalët
e kujtimet e trishta
ulen stolave
dhe për orë të tëra
vrojtojnë njerëzit e braktisur
e mbyten nga ligështia e pikëllimi
se e kaluara rëndon mbi shpatulla
e ikja e kohës nuk bën më përshtypje
mjafton të zhyten në thellësi shpirtërore,
në angështitë dëshpëruese
e të kuptojnë
se edhe dështimi ka vlerë
se përcakton si do të jenë
pas furtunave rrënuese
kur të shikojnë qiellin e kthjellët
si kërkues të etur të së pakufijshmes
se e dinë që kur shpreson shumë
edhe do të zhgënjehesh.