>
LETERSISHQIP
Marjeta Shatro Rrapaj

Pafundësi Heshtjeje

Shpirti shtypet prej mendimeve
e dridhet prej ndjenjave,
kurse ritmi i jetës varet nga alternimi,
harmonia e Qenies, ekuilibrimi,
ku bota hipnotike ka pikëpamje të shumta,
por përreth çdokujt ka korsi të pafundme
e për njëri-tjetrin jemi busulla orientimi,
në udhëkryqe linjash, kryqëzime drejtimesh,
ku nëse shtojmë dëshirat,
lëkundet drejtqëndrimi
e shpërqendrohemi universalisht,
ngatërrohemi galaktikisht
prej amplifikimit joshës.
Baraslargohemi nga dallgët e ndjesive,
perceptojmë ndërlikimet ritmike
përqafojmë format platonike
për analogji simetrike
në realitetin konveks
të koordinatave të fjalëve poetike
për zgjatje qetësie shpirtërore,
për kthjelltësi të pashtershme kaltërsie,
përhumbemi rendjeve për zbulime misteri.