>
LETERSISHQIP
Marjeta Shatro Rrapaj

Rrallë E Shpesh

Treten tingujt në melodi
si retorikë zemrash
për shpirtrat e trazuar,
teoremë pa emblemë
me magji muze,
mpleksur diell e qiell
në zbërthim heshtjeje,
në ngatërrim engjëjsh dhe djajsh
udhëkryqeve në kthetra hutimi,
duke kërkuar dritën e jetës,
shpirtin e kulluar e frymën e frymës
me thjeshtësi dashurie deri në madhështi,
betuar për përjetësi
në ecejaket e mendimeve,
ku rrjedhin ëndrra e iluzione të panumërta
apostujsh e shenjtorësh të fjalës"Liri",
në luftë pambarim me vetveten
pa verbim nga zjarri dhe mëria,
pa lëvizje në vend numëro,
pa shpërfillje dëshire,
pa kujtime përmbytur në lot
pa vegime me dimensione dyzimi,
pa akuza në heshtje të limituar
pa abstraksione qeniesh
pa elipsë gjysëmrrethore trishtimi,
por me përjetime jete
mbushur inekuacione,
mosbarazime dhe kufij të pamundur,
fjalëkryqe plot enigma,
jehonë britmash shpirti,
që kërkojnë rrugëtimin e hapave të thyer,
përfundime e mbyllje
Ofshamë kohe
për mungesë ekuilibrash,
ndjeshmërish e përjetimesh
të njeriut që vërtitet si elektron,
si kation e anion
në mistiken botëstisje,
mes dashurisë dhe vdekjes.