>
LETERSISHQIP
Neviana Shehi

Balonë Fëmijërie

-Hape derën, – më tha i panjohuri që po ecte rrugës së errësuar, duke shtuar: – dyert e hapura gjithmonë janë mike me flladet që vijnë nga detet dhe me të nesërmet që ngjizen në udhë e sipër.

Duke dalë nga skutat e thella të shpirtit, unë i besova fjalëve të atij burri.

Herë pas here më duket dhe mua vetja një derë e hapur, nëpër të cilën kalojnë kujtimet, por edhe pikëllimi. Shpesh troket edhe flladi, që flet me një gjuhë misterioze. Është e pafund alkimia e shndërrimit dhe do të më duhen edhe dy shekuj kurajë për t’u bërë ajo që do të doja të bëhesha, ndonëse dy shekuj strukje në humbëtirat e vetvetes nuk janë pak, por as dhe shumë për t’u mohuar.

-Të kam thënë, – vazhdoi i panjohuri, – çdo kush nga ne ka nevojë të paktën të shkojë njëherë përballë piramidës së Keopsit për të njohur qytetërimin e vetvetes. Ndryshe, e pabëra nuk bëhet dhe hapja s’ndodh asnjëherë. E nesërmja është një fëmijë e bukur, por që s’është lindur akoma. Jam ngjizur me të që me fijen e parë të vështrimit dhe mezi e pres të mbërrijë.

E di se shirat që premtuan të binin vetëm sa do t’ia vonojnë atij për pak sekonda ardhjen, por jo edhe ta ndalojnë.

-Mbaji hapur gjithë dyert, – foli sërish ai, – sepse një letër dërguar drejt teje gjithmonë është e lidhur nga pas me një balonë të bardhë fëmijërie dhe me të nesërmen e tij…