>
LETERSISHQIP
Neviana Shehi

Vdekja E Pelikanëve

Ata i gjetën të vdekur në të gdhirë të ditës, në cepin më të largët të bregut, atje ku s’mbërrijnë dot grabitqarët dhe kureshtarët endacakë të liqenit. Të gjithë të shtrirë dhe me kaçurrelat e varura që ua merrte era. Secili mbështjellë me një çarçafë të bardhë dhe të padepërtueshëm mjegull.

Askush s’thotë gjë për vdekjen e tyre, askush s’dëshmon, as kallamat e verdhë dhe kokulur të liqenit, as peshqit hutaqë të cekëtinave.

Tërë jetën janë mësuar t’i mbajnë brenda vetes ndodhitë dhe misteret, me një këmbëngulje të bezdisshme sarkofagësh. Vetëm nata më thotë se vdekja e tyre ka ardhur nga krahët. Tradhtitë e mëdha gjithmonë lindin nga brenda, thotë ajo.

Në mesnatën e errët ata janë ulur të çlodhen dhe të rimarrin fuqitë nga rruga e gjatë, por krahët e lodhur s’u janë bindur tek shihnin që qielli bëhej gjithnjë më i largët dhe refuzues për ta. Ata i kanë thirrur vdekjes dhe ajo ka qenë gati. Pelikanë kaçurrel shtrirë pa jete mbi këtë breg të vetmuar.

Këtë mesdite dhe gjer në agimin e ardhshëm sytë e liqenit do t’i ngjajnë një të verbri…