>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

Ah Jetë, O Jetë!

E di, e them haptas, një ditë do të vdes,
ndaj dhe vendosa të lë këtë shkresë.
Si robot qeshin njerëzit në këtë jetë të poshtër,
tek shohin se bota është mbushur me zotër.

Përplaset grushti tek lëviz një letër,
ngjallet vëllavrasja për një fjalë të vjetër.
Siç kalbet molla në gem, kalbëzohet jeta,
ka humbur shpirti, nxirë është ndërgjegja.

S’ka më prindër, s’ka as shok, as vëlla,
ka një xhep të zdralosur, të mbushur me para.
U prish njeriu, u përdhos çdo fe,
pa dashuri, pa familje, pa Zot, pa atdhe.

Nuk ka fytyrë, por këmbën mbi këmbë,
mjafton të ketë titullin "zotëri i rëndë".
Dhe, siç thotë fjala, vret nënë e baba,
zhelan zhelamani sot u bë pasha.

Kështu heq si kafsha për një kafshatë bukë
zhvishet nga nderi dhe hidhet në rrugë.
Na e zu frymën horllëku, si ferrë në fyt,
si SIDA që s’të falë, por vetëm të mbytë.

Vlon, vlon gjithësia në aromë të ndytë,
përpëliten krijesat dhe verbojnë nga sytë.
E…mjerisht s’ke ç’i sheh jetës pa asnjë të mirë,
se është bërë e tëra si djalli me brirë.

Dhe…nga tmerri, nga barku i boshatisur,
shëron vetëm thika, plumbi, pak helm i fëlliqur.
Ah, jetë o jetë, sa dinake je,
vret pa mëshirë e pak dhimbje s’ke!

E megjithatë faji nuk është yti,
vrasjen e bën barku i sëmurë nga fyti.
E gjersa bota një bark do të ketë,
e fëlliqur dhe në nevojë gjithmonë do të jetë.
Shënkoll-Lezhë, 1995