>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

Do Ta Them Me Gëzim E Dashuri

Do të shkoj gjithkund
nëpër rrugët e botës;
do të shkoj nëpër male, ndër pyje,
ndër djerret më të harruara.

Do të shkoj ku njeriu është,
ku njeriu lufton dhe vuan;
do të shkoj tek pallatet e qytezës sime,
në varrezat, në shkretëtira…

Do të shkoj tek më të varfërit,
tek më të largëtit,
tek njerëzimi im.
Do të shkoj tek meshtarët
e kohëve të fundit,
tek politikanët,
tek qeveritarët e kombeve.

Do të shkoj plot përvujtëri,
këmbëzbathur,
kështu,
me varfërinë time
e me Shpatën dytehëshe
të Fjalës së Zotit në dorë,
duke u thënë të gjithëve:
A e keni parë Zotin?
E do ta them me buzëqeshje,
që dyert e shpirtit hap;
do ta them me një shikim,
që të vërtetën flet.

Do ta them mbi të gjitha:
Me gëzim e me dashuri.
Shkodër, më 26. 10. 2013
Si pika vese, Poezi
Shtypshkronja Fiorentia, Shkodër 2021, 118-119.