>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

Ti Vazhdon Të Jetosh...

O Nënë e shtrenjtë,
çdo kujtim i yti
na flet për dashuri.

Natyra të kishte zbukuruar
me shumë hire,
dhunti që të mbështillnin.

E ne të gjithë
fëmijë dhe miq të tu
strehë gjenim tek ti.

Ngushëllim në fjalët e tua,
besim në shembullin tënd,
siguri në përkrahjen tënde.

Në duart e tua dhe këmbët
e plasarituara nga mundimet
dhuroje jetë.

Por Ti, Nënë,
vazhdon të jetosh
e të dhurosh jetë përsëri.

Sepse bekimi yt do të jemi, Nënë,
ndërsa gjurmët e tua,
me gëzim do t’i ndjekim.

Do të rrezatojmë
mirësinë tënde,
nëpër botë, kudo që të shkojmë.

Sepse Ti,
do të jetosh përgjithmonë,
në bijtë e në bijtë e bijve të tu.
Shkodër, më 20. 07. 2019
Si pika vese, Poezi,
Shtypshkronja Fiorentia, Shkodër 2021, 108-109.