>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

Faleminderit, O Zot, Për Covid-19!

"Le të rrijë vetëm e të qëndrojë në heshtje
kur Zoti ta mbrehë në zgjedhë!". (Vajtimet 3, 28)

Jam ulur këtu në heshtje, o Zot i jetës,
dhe mendoj për atë çfarë po ndodh.
Libri i Shenjtë i Biblës thotë:
"… Ti i kursen të gjitha, sepse janë të tuat,
o Zot jetëdashës…". (Urtia 11, 26)
Zemra ime është e përmbytur me paqe,
por si në një film shoh viktimat
e këtij virusi të ri, familje që qajnë,
prindër, vëllezër e motra nëpër spitale,
bij e bija plot me frikë.
Përpara syve të mi lajme, statistika,
këshilla për një kujdes më të madh,
që në të shumtën e rasteve ngjallin ankthe e shqetësime.
Ndoshta edhe lutje, lutje për mbrojtje dhe për shërim,
por pak ose aspak falënderime.

Jam ulur këtu në heshtje, o Zot jetëdashës,
dhe ndërsa lutem e meditoj,
në praninë Tënde gjthçka merr kuptim e dritë.
Më kujtohet historia e Lazrit, mikut Tënd, o Jezus,
kur Ty të lajmëruan se ai ishte i sëmurë, e Ti the:
"Kjo sëmundje nuk është për vdekje,
por për lavdi të Hyjit,
që të nderohet në saje të saj i Biri i Hyjit". (Gjoni 11, 4)

Jam ulur këtu në heshtje e në paqe, o Zot,
dhe të falënderoj për këtë sëmundje të re,
e cila sigurisht është për lavdinë Tënde.
Në misterin Tënd të pashqyrtueshëm,
unë e di mirë se gjithë kjo që po ndodh
është për shpëtimin tonë,
për paqen e atyre që janë afër e të atyre që janë larg.
Para syve të mi shpalosen vuajtjet
dhe grahmat e atyre që do paraqiten tek Ti,
dhe me psherëtimën time të thellë i kujtoj
para Teje, o Atë, një e nga një,
ata që ikën dhe ata që po vijnë:
Pranoji në përqafimin Tënd të përjetshëm!

Të falënderoj me gjithë zemër, o Zot i çdo mëshire,
për gjithçka që ke lejuar në jetën tonë,
të falënderoj për çdo vullnet Tëndin,
të falënderoj për çdo bekim dhe hir,
që Ti na ke sjellë dhe do të na sjellësh përsëri,
nëpërmjet COVID˗19.
Në duart e Tua ne jemi,
gjithçka prej Teje pranojmë me dashuri e me paqe:
Prandaj, Ty, të qofshim falë!
Dhe çkado që në këtë jetë
e pas kësaj jete të na ndodhë,
o Jezus të na mbash në hirin Tënd gjithmonë
ne përvujtërisht të kërkojmë!
Shkodër, më 12. 03. 2020
Si pika vese, Poezi,
Shtypshkronja Fiorentia, Shkodër 2021, 98-99.