>
LETERSISHQIP
Sadedin Mezuraj

Post Festum

Dita duket e lodhur nga nata e gjatë e defrimit.
Sytë e dritareve, veshur në avull, janë ende në gjumë.
Mespërmes vetëdijes së qytetit rrjedh një përrua i pistë
që, për t’i rritur madhështinë, e quajmë lumë.

Ky vit po ikën si hamall i lodhur nga mbingarkesa e rëndë,
me mëkate, zhgënjime e skandale mbi shpinë.
Pemët anës rrugës, në heshtje solemne,
me krahët drejt qiellit, luten për Mesinë.

Kontabilistët mbyllin bilancet e oligarkëve,
amvisat e lodhura ritualin e pastrimit gjeneral.
Po ku ta gjesh lumin mitik të Gangut
për të pastruar nga shpirtrat llumin mullar?

Dymbëdhjetë muaj u rrotulluan në karuselin e stinëve,
heraklitiane rrjedh koha në shtratin e vet.
Nga shpellat primitive vjen Homo sapiens-i,
me smartfon në duar, por i pandryshuar në thelb.