>
LETERSISHQIP
Sadedin Mezuraj

S'mund Te Behem Qiell

Lumi rrjedh i verbër, pa ditur ku shkon,
siç rrjedh në shtratin e ëndrrave dëshira.
Shtatë yje xhuxhë u shuan në ag,
një shi i heshtur bie mbi shtatë kodrina.

Ngado të kthehemi, era na zë pritë.
Fryn ngado kjo erë,
dhe krahët e saj
thyhen nga pesha e qiellit të zymtë.

Ku mund të kapesh,
ku mund të mbahesh,
në boshin e madh me Zotin e vdekur?
Në litarët e shiut vetëvaren vetëtimat,
qentë e zinj na ndjekin pas gjurmëve tona.

Ja ku është ura.
E dëgjon si dridhet?
Në këmbët e saj flijuar është një grua.

Nën shiun e trishtë e përhumbur bota,
S’mund të bëhem qiell për shpirtin tënd me flatra;
Për trupin tim me plagë
ti s’mund të bëhesh toka.