>
LETERSISHQIP
Sadedin Mezuraj

Puthja E Fundit

Pas pak muzgu do kthehet në natë
Siç kthehet në grua një vajzë çapkëne,
Në rrugë një çift i bukur po puthet
Mbi Dajt vezullon një drapër prej hëne.

Djali e puthi dhe bëri të shkonte
U kthye dhe e puthi vajzën më gjatë,
Ç' parandjeu, vallë, përmes dy buzëve
A thua e fundit do ishte kjo natë?

Gjithçka duket kaq e zakonshme
Pemët, makinat dhe njerzit të qetë,
Zogjtë u zhytën në puplat e territ
Bursat u mbyllën me një rënie të lehtë.

Djali bëri ca hapa të ikte
U kthye dhe vajzën e rroku për beli,
Ca pleq mbi stola - relike të vjetra
Thithin cigaret dhe shikojnë nga qielli.

Por qielli duket si shkrimet hermetike,
Yjet të kyçur me një kod sekret,
Nuk është e sigurtë nëse dita do të vijë
E sigurtë është se natë do të ketë.

Do të ketë natë për gjumë e për ëndrra
Për njerzit, për shpezët dhe peshqit e lumit
Djali u kthye vrulltaz nga vajza,
E puthi si të ishte darka e fundit.