>
LETERSISHQIP
Vullnet Mato

Diamantet E Lotëve

Diamantet janë lotët e nënës Perëndeshë,
për bekimin e njerëzimit, kur u formua Toka,
mbrujtur nga vullkanet, kur magma u ngjesh,
t’i kishte të shtrenjtë, lotët e nënave bota.

Të ishte loti i Perëndisë, më e vlefshmja stoli,
për të gjitha gratë, që do bëheshin nëna,
të fiksohej nëpër unaza, deri në përjetësi,
të durojnë sytë e tyre, lotimet më të rënda.

Të derdhin lot motrat, kur dalin nga pragu,
të shkojnë në strehë tjetër, ku shumohen,
të ndjejnë dhimbje, njerëzit e një gjaku.
që ato ndahet prej tyre, kur do martohen.

Të ndjejnë mëshirë, vjehrra me vjehrrin,
kunatat, kunetërit, kur nusja derdh lot,
se diamantet e saj, thyejnë mermerin,
thyejnë xhamin dhe zemrën më të fortë.

Të qajnë fëmijët me kuje, kur dalin në jetë,
që ta çmojnë nënat, lindjen e çdo fëmije,
si krijesën hyjnore më të çmuar, se jeta e vet,
diamantin me shumë karat dhembshurie.

Të ndjejnë dhimbje gjithë burrat zemërgur,
nga rrëketë e lotëve, të grave të tyre,
që vuajnë përbrenda e nuk ankohet kurrë,
por e thyejnë vuajtjen, me diamantet e syve…

Nëna ime ka qarë për mua, aq shumë herë,
derisa vdiq si pisha, që loton dëborën e dimrit,
sepse ika i vogël, të gjej punë pyjeve me erë,
dhe m’i la lotët në një unazë me gur xhevahiri…