>
LETERSISHQIP
Vullnet Mato

Shkreptima Në Gjumin E Mesnatës

Mbrëmë në gjumin e mesnatë u përplasën retë,
teksa qielli me shkreptima zuri të bubullojë.
Disa hieroglife të zjarrta shkruanin rrufetë,
mes tyre lexova: "O, sa të lumtur jetojmë!"

Brofa nga shtrati i brengës, kërceva përpjetë,
duke rrëmbyer shpatën time të vetëtimës.
U ngjita sipër në qiell, ku kacafyteshin retë,
zura t’i çaj mespërmes, me tehun e flakërimës.

Ç’ke, or bir, që po vetëtin aq fort, këtu lart?
më thërriste nga parajsa, nëna flokëbardhë.
Me kë je zemëruar aq rëndë, or vëlla i madh?
pyesnin tre vëllezërit, ikur nga jeta vite më parë.

Pse e nxore nga milli shpatën e fjetur në mur?
më qortoi motra, që shkoi në Eden, pas nënës,
ne nuk jemi më në sofër, aq sa ishim dikur,
që e ndave në shtatë thela, pjeprin e hënës?…

Pse, or babë, u zemërove me qiellin e zotit!
klithën me lot shiu, djemtë dhe vajza e vetme,
duke u munduar të më zbutnin me fjalë koti
dhe shkallën e jehonave, më tundnin nënvete…

Me cilin zihesh egër, ti që nuk grindesh kurrë?…
Ushtonte gruaja e mahnitur nga nervat e mia;
mbaje zemërimin dhe zbrit nga qielli, or burrë!
se zgjove lagjen në këtë orë, kur u flenë fëmija!…

Nuk zbres, vringëlloja shpatën e vetëtimës me zjarr,
do t’u djeg fijet e shpirtit, lidhur mes qiellit e tokës,
të gjithë të korruptuarve dhe oligarkëve shqiptarë,
që nuk na lënë të ngjitim dhe ne, lartësitë e botës!…

Zbrit, or jahu, thanë tërë familja, ti je veç një shpatë!
Nuk zbres, or jo, sonte jam tërbuar dhe do ia bëj fora,
pavarësisht se gjithë burrëria, fle rreth e qark!…
Por, ah, dielli mëngjesit, ma rrëmbeu shpatën nga dora!