>
LETERSISHQIP
Vullnet Mato

Turp I Turpeve

Turp i turpeve të kësaj shoqërie,
të kësaj kohe, me papunësi mjerane,
poetesha e shquar, profesore letërsie,
lihet në rrugë, të shesë banane!…

Vendin e saj e ka zënë një laraskë,
që tund bishtin me ngjyra laramane,
duke bërë sfilita, nga klasa në klasë,
me pendë të ngushta të jetës mondane.

Kjo zgjedhje e të paaftëve, mes të aftëve,
bën degët arsimore për t’u sharruar,
se flenë foleve, pa bërë vezën e vakteve,
mikeshat e skifterëve të korruptuar.

Si do blerojë kjo pemë, me të tilla fole,
që s’i lënë gjethet e blerta të vegjetojnë?
Sapo çelin sythat, të pjekin kokrrën e re,
zogjtë e pangopur të skifterëve i gllabërojnë.

Kësisoj bilbila dhe kanarina, pas durimit,
për të mos jetuar në boshllëkun e uritur,
fluturojnë në qiejt e largët të shtegtimit,
por si do bëjnë ata që kanë flatrat lidhur?

Turp i turpeve të kësaj shoqërie,
të kësaj kohe, me papunësi mjerane,
poeteshë e shquar, profesore letërsie,
lihet të dalë në rrugë, të shesë banane!..