>
LETERSISHQIP
Vullnet Mato

Mbështetja Te Supet

Malet – grumbuj dhera e shkëmbinj në lartësi,
kanë mbetur kurdoherë të rreptë e krenar,
se, me supet ngjeshur te njëri-tjetri në lashtësi,
kanë gjetur mbështetjen për të mos shkarë.

Po të humbnin këtë lidhje të madhe, të pandarë,
që i bën të qëndrueshëm përballë tërmetit,
malet do të ishin rrokullisur në mijëravjeçarë,
mbi rrënimin e tyre do jehonte krenaria e detit.

Duke imituar lidhjen e ndërsjellë të maleve,
shqiptari ka mbështetur supe brezash trashëgim,
me bashkim armësh, t’u mbijetonte halleve,
për të shpëtuar, pa u rrokullisur në asimilim.

Së fundi në disa qytete u shembën qindra shtëpi,
por duke bashkuar supet fort, me njëri-tjetrin,
dhe të mbështetur te supet, nga Evropa në Azi,
shqiptarët gjetën forcë, për të sfiduar tërmetin…