>
LETERSISHQIP

Një Copë Qiell I Braktisur

Më zuri mbrëmja larg në udhën e kujtimeve,
gjurmët më shpunë, te shtëpia jote e heshtur.
Të kërkova cep më cep, moj shtojzovallja ime,
po s’të gjeta askund, nëpër ajër ishe tretur.

Qepallat kishin mbyllur, dritaret dhe dera,
fantazma e kurbetit, mbante çelësin në brez.
Jetën e asaj shtëpie, kishte shqyer era,
zverdhimi kish përhapur shkretimin përreth.

Oh, ç’mu drodh zemra, sërish në atë truall,
ku më tërhiqje nga larg, me grepin e vetullës,
dhe flakët e fustanit, mbi gjunjët zbuluar,
më ndiznin puthjet, nën degët e pjergullës.

Tani ato puthje, kishin marrë zogjtë e avllisë,
për të thurur foletë në degët e rrapit të lartë.
Mbeta shpirtgoditur nga nostalgjia e djalërisë,
para shtëpisë së mekur, me trëndafila të thatë...

Eh, s’kthehet më kurrë, ajo kohë e paharruar
edhe po t’i lutem zotit, dit’ e net pafundësisht,
edhe sikur të zbraz breshër, nga sytë e pikëlluar,
se aty dashuria jonë, kishte vdekur madhërisht.

Ti ike dhe në zemër, më le një shirit të zi,
Po nuk di kush më mallkoi, kaq mizorisht,
të mbetem gjithë jetën, me imazhin tënd në sy
dhe me një copë qiell të braktisur përjetësisht!...