>
LETERSISHQIP
Adelina Pali

Ka Tek Unë

Brenda vetes kam një glob
Gjysma e tij më jep mall.
Gjysma tjetër më mbush lot,
Shoh gjithçka rrallë e më rrallë.

Brenda vetes kam një det
Që mes dallgësh më përplas
Dhe nuk di ç’të bëj, medet,
Valën - varkë kërkoj të ngas...

Brenda vetes kam një jetë,
Sa një shekull po më duket.
Përplas krahët për te retë,
Por shpresa e trembur struket.

Ëndrra brenda meje futur,
Ëndërr e madhe sa nuk thuhet.
Gjysma e saj ngjan e këputur,
Gjysma tjetër sikur ndruhet.

Shpresa më rrëmben përbrenda,
Por s’di se ku po më çon.
Globin, detin edhe ëndrrat
Me drithërim m’i afron...