>
LETERSISHQIP
Adelina Pali

Mi Bëni Të Fala Atij

Ngujohem në errësirën e dhomës e vetmuar,
Por më shumë më ngujohen mendimet. 
Çfarë paskam, që nuk më vjen për të shkruar?
Kur si shtiza të mprehta më vërshojnë kujtimet.

Një mall i afërt e i largët përbrenda më bren,
Për atë që e shoh në horizont si një siluet.
Ndaj më kryeni një porosi që nga zemra më vjen,
Të paktën shpirti dhimbje të mos ketë.

M’i bëni të fala atij, nëse do ta takoni,
Por jo se ndjenjat më gërryejnë çdo ditë.
Veç të fala m’i bëni, asgjë tjetër mos i thoni,
Mos i tregoni se lotët më kripojnë sytë.

M’i bëni të fala atij, por mos i tregoni se po qaj,
As për shpirtin tim që kaq shumë dhëmb.
Mos i thoni se e kërkova rrëmujshëm në çdo skaj,
As se një mal në kokën time u shëmb.

Kaq dua, vetëm t’i thoni se jam ende gjallë,
Edhe pse nëpër inde më zien marazi që s’thuhet.
Vetëm të falat t’ia çoni, as një tjetër fjalë,
As pse grindem me ndjenjën time që s’shuhet…