>
LETERSISHQIP
Adelina Pali

Streha Ime

Të gjithë vijmë nga një botë, ku secili prej nesh kërkon një strehë të ngrohtë për shpirtin...
Të shkruash për veten është gjëja më e vështirë që mund të bëhet, por quajeni një monolog komunikimi, bashkëbisedimi...Unë jam dhe do të jem pranë jush këtu, me pasionin tim, për të derdhur në fletë ato çfarë shoh dhe përjetoj. Ato çfarë ndjej.
Mjafton fakti qe unë do të jem për ju me rreshtat apo me vargjet e mia te thjeshta por që mbartin brënda shumë dashuri. Do të paraqitem me shumllojshmeri ngjyrash e ju do të kuptoni se jam pikërisht ajo që duhet në shoqerinë tuaj. Do të jem me ato larmi ngjyrash, ku çdo kush do ta kuptojë se ato më ngjallin frymëzim dhe që pasurojnë pamjen dhe shpirtin tim...
Herë-herë dua të largoj mendimet e liga që më zënë frymen. Dua të pasqyroj mëndjen time me mënyrën më të mire të mundëshme. Ka raste që demoralizohem dhe ndjehem e pasigurtë. Dora më ndalet dhe nuk mund të hedh asnjë varg. Por kur shkruaj më rritet besimi dhe kjo më bën të kuptoj aftësite e mia. Dua të këpus zinxhiret e kotësisë e të shpërthej me vargje, ku kam shpirtin tim... Teksa endem kuptoj se dëshirat e mia janë të pafundme, por dëshira për të shkruajtur tashmë është ngulitur thellë tek unë dhe ndjej se do të jap shumë. Është pikërisht dashuria ajo që më inkurajon të mos ndalem kurrë nga kjo strehë ku kam dhe fal shpirtin tim. Është kjo strehë, ku dua të shpalos dhimbjet, lotët, zhgënjimet, lumturinë, dashurinë për njerëzit dhe për jetën, dashurinë si ndjenjën më të bukur dhe fisnike...Është kjo strehë që më mbulon me dashuri e me mirësi dhe ku kam gjetur paqe dhe bëhem njësh me të...Është streha që më bën të jem e lumtur kur shkruaj...!
Kjo strehë nga ku burojnë fjalët e shpirtit tim, tashmë është një pikëz drite ku dhe ju do merni kënqesinë që dëshiroj unë...
Të gjithe vijmë nga një botë, ku secili prej nesh kërkon një strehë të ngrohtë për shpirtin... Unë e kam gjetur...!
30/11/2020