>
LETERSISHQIP
Alban Tartari

Prangat E Vetmisë Së Ndryshkur

Më therin kyçet,
Më dhemb kryet

Ndërsa dita copë-copë në dyshemenë e natës
Thyhet.

Sy’i verbër s’e sheh qelqin.
Me këmbë e pëllëmbë
Të gjakosura mallkoj veten -
Mallkoj ty,
Mallkoj dreqin.

Më dhemb shpirti
Më tremb hiçi.

Unë nën prangat e vetmisë – ti brenda meje lëviz,
Si detari dehur detesh nga bashi te kiçi.

Jam ndryshkur mbas hekurave.
Burgjet e vetmisë janë bërë për ne
të pafajshmit,
Prangat duhet t’jua hedhin zemrave
fajtore, që diku atje jashtë
Qeshin
Heshtin
Flasin.

Më vret vetmia vulosur mbi vetull,
Trupi im i vyshkur nën pranga
Endet botësh,
as i gjallë as i vdekur.

I ndryshka prangat, ndaj kthehu,
Zemërhekur!
Qershor 2002