>
LETERSISHQIP
Elona Musaj

Mes Dy Stuhive

Heshtja e këtyre ditëve
më rëndon si plumb,
e ndjenja e frikës
m'shoqëron gjithkund.

Fjalët që dua t'i them
më mbyten në fyt,
as mundem t'i nxjerr,
e as t'i gëlltis.

Ndërsa inati mban peng
çdo mundësi shpjegimi,
dashuria zhytet
në gjendje mjerimi.

Sonte, përballë njëri-tjetrit
dukemi të huaj,
secili në egon e tij,
që dot s'e shuan.

Biseduam... gjatë
por shum’ mbeti për t'u thënë,
largohemi secili në rrugën e tij,
me pyetjet që ende në shpirt rëndojnë.

A është ky fundi,
apo një fillim i ri?
A ka vend për shpresë
në këtë natë me shi?

Errësira më kaplon
dhe mendjen tani,
moti m’vjen në ndihmë,
lotët s’i fshij.

Çadrën e mbyllur
në duar shtrëngoj,
me stuhinë e qiellit...
timen e mbuloj.