>
LETERSISHQIP
Elona Musaj

Pezull Në Përjetësi

E dua heshtjen
se më flet për ty,
gërmon thellë brenda meje,
aty ku t’kërkoj pareshtur,
ndonëse e di që s’do t’kem kurrë.

Më pëlqen të ëndërroj,
se ai mashtrim i ëmbël
të kthen tek unë,
në një vend ku e mundshmja dhe e pamundshmja preken lehtë,
para se të treten me ardhjen e agimit.

M'pëlqen të dal nga vetja,
se vetëm kur humbi
të gjej sërish,
n'at’ kufi të hollë
mes dëshirës dhe përkufizimit.

E dua dhe atë t’ardhme
që s’do e kemi asnjëher',
se mbetet e paprekur, e pastër,
pezull gjithmon' në përjetësi.