>
LETERSISHQIP

Me Fal

Më fal! Udhën s’ta shtrova dot me lule.
S’u bëra dot as lider as VIP as ofiqar.
Unë di vetëm të lëroj atje ku dielli ulet
Mëngjesin të rrënjos në sytë e tu të larë.

Më fal! S’të shëtita dot ty nëpër botë.
Bile unë s’di as ku bie Polinezia.
Lidhjen tonë të pandarë di ta mbroj fort
Dhe humbas plot besim në ëndrrat e mia.

Më fal! Fatin Zoti na e bën dhuratë.
Horoskopin e yjeve asnjë herë s’e kam lexuar.
Kujtoj mbrëmjet kur ti ngre kokën lartë
Trupin ma lëronin duart e tua shtrënguar.

Më fal! S’të çova dot në Tokën e Premtuar.
Si Magelani s’i erdha rrotull botës.
Nën hijen e agimit vargjet i kam shkruar
Zbathur kam ecur në zemër të tokës.

Më fal! Për ditët tona rutinë e pa jetë.
Për netët plot trishtim e brenga shumë.
Të lutem, mos kujto furtunat, lotët e shkretë,
Mos i kujto më fjalët që të thoja unë.

Kujto ti ditët e pakta plot me dashuri!
Gëzimet që na mbushnin shpirtin i kujto!
Rrugën tonë ku ecëm plot guxim e gjallëri
Bekoje, e dashur, kurrë mos e harro!