>
LETERSISHQIP

Pergjigje Gruas

Letrën, grua, në gji e ruaj
Dhe shumë herë do ta lexoj;
Dhe po aq herë nëpër rreshta
Një këngë malli do të dëgjoj.

E di që s’mësohesh dot pa mua,
Në tryezë shtron një pjatë më tepër.
‘Ç’e humba fare”, nënës i thua
Pastaj pret nga unë një letër.

Ndoshta ëndërron nga unë një letër
Në një zarf të kaltër luleblirësh
Me pak para për nënëshkretën
Për ty ca vargje xhevairësh.

Po unë e di, ti pret më shumë
Ca fjalë intime, lule malli,
Firma poshtë vënë me buzë,
Ku të puthi vajza edhe djali.

E di se është një ngasje e bukur
Nga një mallë i largët bashkëshortor,
Që një burrë i ëmbël, një shpirtvogël,
Nuk ndjen asgjë në kraharor.

Po një burrë si unë, egoist për dreq,
Që i shfryn mendimet si furtunë
Dhe zemra e tij vuan e heq,
Nuk gjen prehje as në gjumë.

Të tjera halle e zënë gjatë ditës,
Përmbi dhembjen e përmbi mallin,
Sa një zonjë nga ato të elitës
Do t’i bartte ndoshta me hamallin.

Po mal mbi shpinë kam krenarinë,
Idenditetin tim po gjithashtu,
Sa gërmuq shëtis nëpër Athinë,
Këmbëlidhur me ca tabu.

Se lutjen unë s’e kam mësuar
Dhe dorën kurrë dot s’e shtri,
Shtëpitë publike, siç u thonë
Dhe kazinotë, oh, kurrsesi.

Mbi gjithçka e ardhmja juaj
Më mundon e më sfilit,
Si hutaqi morrat në dhe të huaj
Rri numëroj këtu dhrahmitë.

Dhe nis e shaj Zotin në shqip,
Atë që kurrë s’e njoha dot.
Fatin tim me dhëmbë përtyp,
Po zemrën kurrë s’e mbys në lot.

Oh, veç një gjë kuptova mirë
Dhe sot ndihem shumë i pasur,
Sa shumë u dashka larg Atdheu
Dhe po aq ti, grua e dashur.