>
LETERSISHQIP

Piramidat Tona

Dëshiroj t’i themë të gjitha,
Por s’mundem t’i themë sot,
Fjalët më duken të brishta,
Mendimet të errëta
Sikur nata ka pllakosur
Mbi tërë këtë tokë…

Mësuam të bëhemi piratë detesh,
Nëpër botë u bëmë
Strategë edhe mbretër,
Po nuk mësuam dot
Gjënë më të thjeshtë
Të duam njëri-tjetrin…

Dhe ndërtuam kështjella,
Kështjellën e murosjes,
Kështjellën e qëndresës,
Por nuk ndërtuam dot
Me porta të hapura,
Kështjellën e shpresës;

Dhe vuajmë si Atlasi
Dhimbjen e përbashkët-
Mbi supet tona Atdheu qëndron,
Po gjithkush ndihet i vetëm,
Fillikat i drobitur
Dhe askush nuk e shikon.

Kur bota bënte mbretëri,
Ne bënim principata,
Tre milionë principata,
Që gjoksin njëri-tjetrit
T’ia gërvishnim
Me shpata…

Bota hapte universitete,
Bota bënte shtete
Me Kushtetuta ligjore,
Ne ngrenim kulla,
Kulla ngujimi
Dhe kanune fisnore;

Ne ngrenim piramida,
Panteone lavdie
Me labirintet e harresës,
Por nuk ndërtojmë dot
Piramidën e kujtesës,
Piramidën e pendesës.

Tre milionë shqiptarë
Tre milionë vjet
Rreth piramidës sillemi
Me nga një gurë në sup
Shtrënguar fort.
Gurë i fortë granit,
I gdhendur, i lëmuar
I larë me djersë,
Dhe piramida
E mbetur pa kokë…

Piramidat tona
Të forta, të pashoqe,
Që kurrë nuk mbaronin,
Piramida përbindësha
Me tre milionë maja,
Se gurin e kreut
Për vete e donim.

Kur bota sulmonte qiejt
Me krahet e shkences
Ne rrethonim me tela me gjemba;
Nga maja keshtjelles:
“Jemi fener ndricues”
Buciste kenga.

Kur bota ndertonte
Banka e bursa,
Ne thurnim skema mahtruese,
Fondet: “Populli”, “Xhaferi”
Piramidat e Sudes…

Dhe ja, sot na u deshën
Të ngujohemi,
Të ndarë nga nëna e babai
Në pritje të shpresës,
Me sytë nga qielli
Në pritje dhe lutje
Që armikun ta vrasë
DIELLI