>
LETERSISHQIP

Portret I Nënës Sime

Nëna ime me çitjane të gjera,
Nëna ime me shaminë e bardhë,
Si jugë e butë drejt visesh tjera
Nëna ime me jelek ngjyrë allë!

Nëna ime e mpakur, e lodhur
Në lumin e jetës si avullore
Me pesë djem, pesë universe,
Si pesë gishtat e një dore!

Nëna ime me një mijë halle,
E urta, e mira gjer në dhimbje!
Çfarë të na bënte për ditë festash,
Çfarë të na vishte për ditëlindje!

Pak sheqer e kafe lidhur komb
Në cep të qeskës së lerosur
Në pritje të mikut aq të bujshëm
Ruante nëna e qederosur…

I besonte punës dhe lodrës së fatit,
I besonte rrënjës së thellë të fisit
Kurorë na donte rreth babait
Si degët e forta të një lisi;

Po babai im kishte gjak të nxehtë
Dhe ne i ngjajmë atij, për dreq,
Tabutë i theu një Takë rebel
Biografinë na e nxiu, na e prishi keq.

Dhe nënëshkreta qante në gjumë
Për atë plangprishës, atë shpresprerë
Dhe fatin tonë të zi për lumë
Pa vajza, miq e shokë në derë.