>
LETERSISHQIP

Vdekja E Studentit

Apatinë e pazakonshme të Vasjar Marko Bregut, pas daljes nga hetuesia deri ditën e përjashtimit nga universiteti, nuk kishim si ta shpjegonim ndryshe veçse me krizën morale të tij. Ai ishte lënduar tmerrësisht në krenarinë e tij, në karakterin pa njolla dhe lirinë e tij. Në fytyrën thellësisht të prekur pasqyroheshin qartë të gjitha trazirat shpirtërore. Nuk kishim më përpara syve tanë atë fytyrë të etur për lumturi, shprehja e së cilës përkonte me një mori gjëndjesh të ndryshme shpirtërore, e cila të linte mbresa herë si një këngë prekëse, herë si një tablo emocionuese, herë si një grimasë melankolike e herë si një fytyrë aktori gjenial, përfaqësuese e të gjitha dëshirave njerëzore. I dukej se gjithçka e tij: inteligjenca, bukuria fizike, imazhi dhe çdo vlerë e spikatur ishin zhelenosur. Pas asaj ngjarje të papritur e të pabesueshme, heshtja dhe çdo fjalë e nxjerrë si me grep nga goja e tij, kishin një nëntekst: jo vetëm që nuk e kishte gjetur atë derë, që do ta shpinte drejt lumturisë së përkryer, por kishte zgjedhur rrugën e gabuar, nëpër të cilën kishte ecur me nxitim djaloshar, i verbuar nga vetë drita e fatit mashtrues. “Admiroj Masazherin e Peshkopin, të cilët janë treguar të përmbajtur e të matur në aventurat rinore. Unë s’kam qënë syçelur. Ndodh që njeriu nxiton t’i amplifikojë meritat e tij, por, kur dështon, bën zili anonimët”, më tha një ditë papritur, sikur vetërrëfehej.

Marrja e tij në hetuesi dhe akuza për rekrutim nga diplomacitë e huaja në shërbim të agjenturave të shteteve kapitaliste, neve na dukej rrufe në qiell të kthjellët. Por edhe më befasues na dukej fakti që ai nuk e kundërshtonte fare akuzën. Dhe për këtë, duke e pranuar në heshtje, nuk na shikonte dot drejt në sy. Ndonëse ne kishim një besim të palëkundur në pafajsinë e tij, ai shqetësohej për ne, duke menduar se na kishte njollosur rininë tonë të pastër. Në një rast të pazakonshëm Masazheri qortoi ashpër Peshkopin për një anekdotë që lëshoi në praninë e Kingut. Se gjoja, në një situatë të ngjashme, Nastradini kishte thënë: sa ta marrin vesh se unë nuk jam gomar, ma vunë samarin. Bile, në zemërim e sipër, e kishte quajtur idiot. Pikërisht në atë moment më erdhi një lajm-thirrje nga PTT-ja e Qytetit Studenti për bisedë telefonike. Shokëve të dhomës u thashë se më kërkonte në telefon kryeredaktori i gazetës “Zëri i rinisë” dhe dola menjëherë.

Sapo hyra në mjedisin e PTT-së, një punonjëse e re thirri: Hekuran Shkoza në kabinën 7 me Elsa Stefanllarin. Do të thoshte se ishte kthyer nga Brazili dhe sapo kishte zbritur në Aeroportin e Rinasit, më nisi me urgjencë lajm-thirrjen. E ndjeva shqetësimin e saj nga frymëmarrja e dendësuar. Dukej shumë e lodhur dhe e shqetësuar. Fjala e parë ishte për Kingun. Më tha se e kishte të vështirë të komunikonte me të në telefon, prandaj më lutej ta mirinformoja si ishte gjëndja morale e tij dhe të bëja ç’është e mundur, për ta takuar sa më parë me të. Mundësisht të dilnim ta prisnim te vendi i zakonshëm. Mirëpo Kingu na kishte porositur, t’i thonim se kishte ikur disa ditë në familje, për t’u qetësuar. Dhe kjo kërkesë për ne ishte një enigmë: nuk kishte kurajo e zemër të dilte para saj apo kishte ndonjë dyshim, sado të zbetë. Ajo ngutja për ta antarësuar në Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Francë, ai Alberti dhe ajo francezja symagjepsëse, nuk ma linin të qetë ndërgjegjen. Mirëpo Elsa dukej seriozisht e shqetësuar dhe me këmbëngulje kërkonte të gjeja ndonjë mënyrë komunikimi me Kingun, kudo që të ishte. Iu përgjigja se zgjidhja më e mirë ishte ta linim të qetësohej deri sa të kthehej. Dhe Elsa nuk dyshonte kurrë në fjalët e mia.

Gjatë ditëve në vazhdim Kingu kishte frikë mos përballej me Elsën papritur, por kjo ishte gati ngjarje e pamundur, pasi Qyteti Studenti për Elsën ekzistonte vetëm me praninë e Kingut. Në mungesë të tij qyteti rinor i ëndërrave të gjithë të rinjve jashtë Tiranës ishte një geto zezakësh. Ishte ndikimi i nënës së saj, që rridhte nga një familje e borgjezisë tregëtare korçare. Por bukuria e saj proverbiale kishte rënë në sy të drejtuesve të pasluftës dhe familja e saj nuk mund t’i rezistonin ofertës së një drejtuesi të ri të shtetit të ri. Familja e një heroi të luftës kishte mundur ta mohonte origjinën e saj aristokrate. Por e bija e tregëtarit, në heshtje, ishte shumë krenare për origjinën e saj dhe ndiente përbuzje e neveri për ata varfanjakët e djeshëm, të cilët kishin në dorë frenat e shtetit. Këtë ua kishte kultivuar me shumë finesë edhe dy vajzave të saj. Për këtë arsye me vajzën e madhe kishte qënë gjithmonë në një konflikt të heshtur. Ndërsa Elsa, e cila kishte dalë disa herë jashtë vendit me grupe rinore, jo që nuk e kundërshtonte më të ëmën, por kishte filluar të pajtohej me të. Por, kur Elsa kishte këmbëngulur për të prezantuar Kingun në familje, ajo kishte reaguar shumë ashpër, duke i përmendur se vajza e saj s’mund të lidhej me një familje plebejane kooperativiste. E bija i ishte përgjigjur se nuk kishte zemër nëne t’ia mohonte lumturinë vajzës së saj dhe nuk kishte zemër femre t’i rezistonte bukurisë dhe karizmës së një mashkulli si Kingu, për ta bërë dhëndërrin e vet. Kur e kishte parë vetë në skenën e Dekadës së Majit, ish-borgjezja ishte kompleksuar shumë. Ajo ndërroi mëndje dhe, kur shkuan në plazh, ku mësoi për gjyshin në Amerikë, shkollën e të atit dhe lidhjet në rininë e tij me Italinë, u bind plotësisht, ndonëse nuk mund t’i dilte përpara kunatit ministër në pëlqimet e tij për Elsën.

Ditën që Vasjar Marko Bregu la Qytetin Studenti një herë e përgjithmonë, e përcolli jashtë vetëm treshja e dhomës numër 28, godina 17. Ishim aq të trazuar e të hutuar, sa nuk dinim çfarë t’i thonim në përcjellje. Nuk guxonim ta pyesnim e të diskutonim për të ardhmen e tij. Cfarë mendonte të bënte? Me çfarë synonte të merrej në jetë? E të tjera si këto. Kingu po ishte bërë gurë varri edhe ishte e kotë ta pyesje. Heshtja në këto raste është arsyetimi më i mirë. Por ne nuk u ndalëm së dhëni kurajo deri sa zuri vend në autobuzin e linjës. E përcollëm me lotë në sy, kurse gjëndja e tij ishte e tillë sa organizmi nuk mundi të prodhonte as lotë. Kësaj i thonë të lësh parajsën e të shkosh në ferr, tha Peshkopi i hidhur. Por unë kisha një boshllëk të jashtëzakonshëm diku në kraharor. Kingu po largohej pa u takuar e pa u ndarë me Elsën. Unë vetë duhej të isha treguar më i hapur me të. Në të vërtetë, kur mësova se Elsa kishte përjetuar aluçinacione dhe një gjëndje makthi sapo dëgjoi përjashtimin e të dashurit të saj të adhuruar nga universiteti, u ndjeva shumë i trishtuar dhe i dëshpëruar me veten. Si mund të vija në dyshim sinqeritetin e saj pa patur fakte kokëforte? Unë isha bindur se në ato 4-5 muaj që ishte dashuruar me Kingun bota asaj i ishte dukur e trëndafiltë dhe tërë dritë. Po ashu edhe Kingut i dukej se dielli ishte ulur më pranë tokës. Isha pothuajse i vetëdijshëm se lidhja e tyre ishte e pastër, e pacënueshme…
* * * * * *
Numri i biletës së porositur me autobuzin e linjës e uli Vasjar Marko Bregun pranë një bukurosheje sqimatare, që nga tualeti dukej se ishte e martuar. Kur djaloshi kërkonte sedilen me numrin 12, e cila i përkiste sediles pranë saj, bukuroshes mëndjemadhe iu duk se bashkudhëtari i rastit e vështroi ngultaz. Duke marrë një shprehje gjoja indiferente, ktheu ngadalë fytyrën e bukur nga dritarja. Por këtë nuk e bëri nga modestia e natyrshme e një të porsamartuare. Thjesht se krenaria e saj tashmë ishte plotësuar. Kur Kingu ngriti pak kokën, për të na përshëndetur për herë të fundit, unë, veç ngritjes së dorës, i shkela syrin me djallëzi. Ky moment ishte shumë domethënës për mua. Reagimi i Kingut do t’më shërbente si barometër i gjëndjes shpirtërore të tij. Ishte e pamundur që Kingu normal të mos reagonte ndaj një bukurie të tillë si ajo që kishte fare pranë. Por nuk reagoi. Nuk i ktheu fare sytë nga gruaja. Bukuroshja e pa shkeljesyrin dhe ktheu kokën nga Kingu. Ajo e vërejti menjëherë ftohtësinë e bashkëudhëtarit, u përqëndrua aq shumë te portreti i tij, sa thoje se ishte magjepsur. Besova se, veç joshjes së padiskutueshme, vajzën e martuar e nxiti edhe statizmi i atij mashkulli, sikur të kishte pranë bustin e ndonjë perëndie të antikitetit. Për atë bashkudhëtare mbetën krejt të panjohura kontrastet e forta në shpirtin e Kingut, që sado-sado pasqyroheshin në plastikën e ngrirë të fytyrës së tij. Madje ajo nuk arriti të kapte as hijen e trishtimit në sytë e tij. Por habia e saj ishte e madhe, se sado krenar të ishte ai për bukurinë e vet, ajo nuk mbetej prapa tij. Djemtë e rinj, sidomos kur ishte studente, lusnin që shorti t’i ulte në të njëjtën sedile me të gjatë udhëtimeve. Dhe bënin ç‘është e mundur të shkëmbenin ndonjë fjalë e t’i vidhnin ndonjë vështrim… Me gjithë atë vajza nuk e përballoi dot kureshtjen dhe hyri në bisedë më të. Kingu ishte nga ata që dinë të sillen me bashkëbiseduesit në çdo gjëndje shpirtërore që të jenë…

Në ndalesën e Durrësit, ku zbritën disa pasagjerë dhe hypën disa të tjerë, në xhamin pranë sediles së vajzës dikush trokiti lehtë dhe ajo ktheu kokën. Ishte një burrë i shëndetshëm dhe hijerëndë. Ai i tregoi me gisht pasagjerin në krah të saj. Kingu u bë i gjallë vetëm kur vajza e preku lehtë te krahu i çveshur i tij. Kingu reagoi sikur dikush e zgjoi nga një gjumë i thellë dhe vështroi nga dritarja, duke i dhuruar një buzëqeshje të sforcuar vajzës së mirësjellshme. Kur pa burrin përtej xhamit e përshkoi një drithërimë, të cilën e shoqëroi një përskuqje e lehtë dhe doli rrufeshëm jashtë. Vajza e ndoqi me shikim çdo veprim të tij. Kingu këmbeu disa fjalë me burrin që trokiti në xham dhe nxorri një çantë të madhe studenti nga bagazhi. Vajza nuk u ndie mirë që udhëtimi i saj me atë bashkëudhëtar simpatik qe kaq i shkurtër. Vendi pranë saj mbeti bosh deri në Fier, ku u ul një grua moshatare, por vajzës nuk i hiqej nga mëndja portreti i atij djaloshi fjalëpak…

Vasjar Marko Bregu, bashkë me shoqëruesin e tij iu drejtuan stacionit të trenit. Vagoni ku zuri vend Kingu ishte i ri e i rehatshëm. U vendos në një kabinë, ku të gjithë pasagjerët ishin familjarë. Ata kishin punët e bisedat e tyre dhe Kingu u zhyt në botën e vet. Nga Tirana në Fier ai vagon iu duk si arkivoli, që e shpinte drejt ferrit. E megjithatë kishte çaste që zhytej në mendime e kujtime. Sa do t’i pëlqente të ishte vetëm fare në atë kabinë. Atëherë kujtimet mund t’i artikulonte me zë. Ai filloi të riprodhonte çdo detaj të jetës universitare që nga çasti kur shkeli në Qytetin Studenti. Të gjithë studentët që e njohën Vasjar Marko Bregun gjatë tre viteve kishin menduar fillimisht se ai nuk shquhej si ndonjë inisiator i hedhur. Me gjithë atë, prirja për t’iu bashkangjitur rrymës së ndryshimeve jetësore, rrjedha e së cilës mund ta shpinte mjaft larg, ishte një aftësi thuajse karakteristike e tij. Tirana ushtronte një forcë të madhe tërheqëse. Ai nuk mund të harronte pjesëmarrjen në Dekadat e Majit, modelin për Pesë Heronjtë e Vigut në Shkodër, foton në kopertinën e revistës “Ylli”, ftesa për spiker në Radio Televizionin Shqiptar, pas të cilave kishte thënë: “Tashmë e arrita atë çka është më e mira”. Njohja dhe lidhja me Elsën, mbrëmjet e vallëzimit me të, veçanrisht shëtitjet mbrëmësore në bulevardin Dëshmorët e Kombit, që në ato vite ishte gjallëruar shumë, të cilat u ngjanin sfilatave të modës, e bënë të thoshte: “Tani jam i lumtur”. Me imagjinatën e tij kishte filluar të përfytyronte mrekullira, të cilat nuk ekzistonin, shihte imazhe plot dritë e hare, që nuk i gjeje as në tokë e as në qiell. Shpesh shkonte në kinema apo teatër me mjaft shokë e shoqe të rinj. Dhe pikërisht në ato çaste dhimbjeje të thellë, për habinë edhe të tij, në shpirt i jehonte butë kënga e dëshirave, e joshur nga pamjet e luksit kryeqytetas dhe bukurisë që kishte parë. Sido që ishte një djalë i kultivuar në një familje që kishte parë jetë me sy, ai vështronte me admirim ato qindra çifte të pispillosur, gra e vajza të bukura, djem e vajza elegante që kalonin pranë tij në bulevardin Dëshmorët e Kombit, duke lënë pas aromën e parfumeve të panjohura për të. Ku i gjenin e nga u vinin tërë ato rroba të zgjedhura e elegante, tërë ato zbukurime të papara, tërë ato stoli, kur në fshatra dhe në qytetet e vogla periferike zinin radhë e grindeshin për një copë stofi të zakonshëm, që shfaqej një apo dy herë në vit në banakët e dyqaneve dhe shitësat ordinerë e matrapazë spekullonin me to? Ku jetonin vallë ato krijesa të mrekullueshme? Me çfarë luksi orendish dekorative i kishin hyrjet, në çfarë qilimash e sixhadesh të mrekullueshme shkelnin ata? Ku ndodheshin apartamentet e tyre të pajisura më së miri me gjithçka që të siguronte kryeqyteti dhe rrogat e larta?…Dhe mëndja i shkonte te Blloku, ku jetonin djemtë e Udhëheqësit, vjehrri dhe vjehrra e dhëndërrit byroist, ku mund të bëhej nuse edhe Elsa, Alberti-nipi i një bllokmeni etj. Blloku i ngjante një nga ato serat ku rriteshin ata djelmosha e vasha të llastuara, me fytyra të pastra e shikime krenare. Iu kujtua koncerti përmbledhës i Dekadave të Majit. Pasi këndoi këngën e tij, rrinte i qetë në prapaskenë, shikonte herë pas here platenë e mbushur me të ftuar, që përbënin ajkën e popullsisë kryeqytetase dhe u përthith i tëri në atë botë të ëndërruar. Duke soditur publikun elegant e të pispillosur të radhëve të para e të llozhave, ai kishte perceptuar një ide të re mbi mundësitë e kryeqytetit. Dhe prapë ishte i sigurt se s’e kishte parë të tërin. Kryeqyteti i dukej gati një tufan dëfrimesh dhe haresh. Dhe do të ndihej i lumtur sikur mos të kthehej më në realitetin e zakonshëm të Qytetit Studenti.

Pas koncertit Kingu pati privilegjin të ishte i ftuar në darkën e shtruar nga Ndërmarrja e Punimeve Artistike Migjeni, si fituese e asaj dekade dhe lokali ku u këndua e vallzua, ku u shërbye ushqimi e pijet, iu duk si një tempull krenar i gastronomisë. Atë natë ishte i privilegjuari dhe i lakmuari i femrave pjesëmarrëse, të martuara e të pamartuara. Ndonëse nuk i kishte kaluar ende gjurmët e ndrojtjes djaloshare, atë natë u tregua kavalier i vërtetë. Nuk duhet pasur asnjë keqkuptim, se Kingu nuk qe nga ata që u qepen grave pas. Në karakterin e tij duhej respektuar seriozisht lidhja martesore dhe ai mendonte vetëm për lidhje serioze me ndonjë vajzë të bukur nga ato të elitës. Në këto kujtime fytyra e tij qeshej e përndritej, sidomos kur në kujtesë i vinin ato çaste lumturie, që kalonte me Elsën, duke humbur plotësisht vetëdijën dhe duke mos menduar çfarë kishte tej një lidhjeje pasionante e rastësore.

Kur doli nga kjo gjëndje përjetimesh të hareshme, Kingu u hodh përpjetë, sikur ishte në një ëndërr të frikshme, duke tërhequr vëmëndjen e pasagjerëve familjarë. Ç’pate, biro? i tha me dhembshuri gruaja më e moshuar në kabinë. Asgjë. Po dremisja pak dhe thashë mos e kisha kaluar stacionin, iu përgjigj Vasjar Marko Bregu. Pastaj ra në një depresion të thellë. Në atë çast çdo gjë e shikonte me vshtrimin e akullt e të frikshëm të një pitoni. Në kaleidoskopin e kujtesës tani shfaqej dueli me hetuesin në birucën e degës së punëve të brendëshme të Tiranës. Kujtonte shfaqjen tërë dinjitet e vetësiguri të hetuesit. Ai bëri ca hapa nëpër birucë me një pamje krenare dhe përkrah tij rrinte i gatshëm një tip sa despotik aq edhe i përulur ndaj eprorit Skllav apo ushtar i verbër, mendoi Kingu. Pamja e fytyrës së hetuesit bënte kontrast me gjëndjen e birucës, tavolinës e karriges ku mund të uleshin ai dhe ndihmësi, për të mbajtur shënim deponimet e agjentit të shërbimeve të huaja përballë tyre. Sapo kishin filluar pyetjet ndaj tij, kishin filluar edhe gjestet e fryra provokuese, përbuzëse dhe kërcënuese. Qetësia dhe qartësia e Kingut i kishte revoltuar dy-tri herë. Po aq herë ndihmësi ishte bërë gati për ta goditur me shkopin e gomës, por me sa dukej eprori i jepte shenja për të mos e goditur.

Vizitorët e tij me detyrën e hetuesit ndërroheshin herë pas here. Disa paraqiteshin më të ashpër, ta gatshëm ta torturonin, disa shfaqeshin më të “njerëzishëm”, disa më injorantë e ndonjë më i mprehtë. Sido që ishte fare pa përvojë nga punët e hetuesisë, Vasjar Marko Bregu kishte një farë habie dhe dyshimi për pelegrinazhin e shumë punonjësve të degës në birucën e ngushtë të tij. Bile dy ditë para se ta linin të lirë, e kishte vizituar një person shumë i mbajtur, i qetë dhe me mjaft njohuri nga fusha të ndryshme të dijes, të cilat bënte përpjekje të shumta për t’i evidentuar para viktimës së vet. Njeriu me “personalitet”, pasi i drejtoi mjaft pyetje për kulturën franceze, sidomos nga letërsia dhe artet figurative e muzikore, përballë të cilave Kingu shpalosi “injorancën” e tij, u ul në atë tavolinën e vjetër prej dërrase ahu. Pastaj i tha:
– E di se nuk je kaq profan sa shtiresh. E di mirë se të pëlqen letërsia, por unë desha t’ju pyesja për një gjini të veçantë. A ke lexuar dhe a të pëlqen romani policor.
Kingu ngriti kokën, e vështroi drejt në sy(bashkëbiseduesi, bëri të kundërtën, i uli sytë) dhe iu përgjigj:
– Nuk them se kam lexuar mjaft letërsi dedektivësh, për të mos thënë shumë pak, por nuk mund të themë se nuk më pëlqen.
– E çfarë ke lexuar, përshembull, që të ka pëlqyer? – pyeti personaliteti. Kingu u mendua pak dhe i përmendi romanin “Një lodër në orarin e udhëtimeve”. Personaliteti tundi kokën në shënjë pohimi, duke thënë: Po, është i një autori japonez. Lexohet me një frymë. Personaliteti e zgjati mjaft bisedën, jo pa një farë talenti në komunikim dhe i dha frymëmarrje Kingut, për t’i zgjedhur më mirë përgjigjet. Mbase edhe për t’i shprehur më me kurajo.
Pas një pauze, personaliteti, gjithnjë syunjur, ndryshoi temën dhe taktikën. Kingu ndjeu një erë të lehtë ofensive.
– Ti je një i ri me një fizik të admirueshëm, shtaderdhur, shumë i hijshëm. Mund të kishe një karrierë shumë të mirë, por iu fute jetës mbrapsht.
– Në ç’kuptim? – pyeti Kingu me një farë përskuqjeje dhe zverdhjeje në fytyrë, pasi biseda me personalitetin mori një drejtim tjetër.
– U ngatërrove me ata studentët e arteve dhe të gjithë bashkë me ambasadën franceze. Cfarë kishe ndërmend të arrije? Do të shkoje në Francë? Apo të gënjeu mëndja se do të martoheshe me atë francezen?
Kjo ishte një breshëri pyetjesh për Kingun, por zakonin e tij, për të mos u përgjigjur pa u menduar, nuk e harroi edhe në këtë rast. Pasi u mendu pak, ai mori një vendim të thjeshtë, se sa i dobishëm do të ishte ai vendim, kjo ishte tjetër gjë. Ai vendosi të ndiqte fillin e pohimit të së vërtetës.
– Studentët e artit, për të cilët ju flisni, filloi ai, nuk i kam njohur fare. Jam gjendur rastësisht një pasdite në të njëjtën veturë me ta. Nuk kam folur e nuk jam prezantuar fare. Pimë një kafe së bashku në një lokal afër ambasadës franceze. Edhe atje nuk kam shkëmbyer asnjë fjalë me ta.
– Si është e mundur kjo që thoni?! – ndërhyri personaliteti. Kingu u mendua pak.
– Se nuk i njihja dhe as isha prezantuar me ta. Dhe aq më tepër që e kuptova se u gjenda në vendin e gabuar me njerëz të panjohur, që tani mund të themë, të gabuar, – iu përgjigj me qetësinë e një filozofi.
– Mos i dredho bisedës së sinqertë që patëm deri pak më parë. Nuk keni folur ju për kulturën e pasur franceze, për artin modern në Francë, i cili është inkuibatori botëror i rrymave dekadente?
– Jo, kurrë, – iu përgjigj prerazi Kingu.
– Po me punonjësen e ambasadës franceze si u njohe dhe u miqësove? – pyeti personaliteti, duke u dhënë ngjyra sarkastike fjalëve.
– Unë jam anëtar i shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Francë. Sa herë mblidhemi për aktivitete të shoqatës kemi pjesëmarrje nga ambasada. Kështu u njoha ose më njohën me punonjësen e ambasadës.
-Po fotografinë e kopertinës së revistës kush ia dha Zhakut? Kur dëgjoi emrin e francezes, Kingut i kaloi një drithërimë në trup. Ky personaliteti ditka çdo gjë, tha me vete. Nuk mund të mohonte asgjë.
– Foton ma dha ajo mua dhe jo unë asaj, – u përgjigj shkurt. Personaliteti u nxeh me përgjigjet dhe me tonin kurajoz të Kingut.
– Tregohu i sinqertë, ç’mardhënie ke me francezen, se do të kalbesh këtu në birucë, – bërtiti personaliteti.
– Nuk kam asnjë mardhënie me të veç njohjes dhe veprimtarisë së shoqatës, që na lidh.
– Mos na fol gjatë për shoqatën, pasi ti dje je pranuar në atë shoqatë. Ti je dashuruar me atë franceze dhe ajo t’i ka futur k… në darë, – tha personaliteti.
Kingun e kapi një panik i papritur, pasi ai nuk dinte se çfarë mund të kishte llapur ajo francezja për qëllimet e saj. Me gjithë atë e mori pak veten dhe iu përgjigj.
– Nuk e dashuroj francezen. Aq më tepër që unë dashuroj një studente dyzetë mijë herë më të mirë se francezja.
– E dimë edhe atë, por ti nuk e përtyp dot atë mollë, – ia ktheu me një ton ironik personaliteti dhe u largua nga biruca. Kuptohet se në çfarë gjëndjeje shpirtërore mbeti Kingu në ferrin ku ndodhej.

Pas “personalitetit” i vajti për vizitë një moshatar i thinjur, me një çehre të ëmbël, që ia ngrohu pak zemrën Kingut me një farë fisnikërie që rrezatonte.
– Te hyrja e degës së punëve të brendëshme ishin tre të rinj shumë të shqetësuar për ty. Ata ishin studentë, shokët e tu të dhomës. Ti ke shokë të mirë e besnikë. Dhe kjo është një shënjë e mirë për ty. Studiova të shkuarën tënde dhe konkludova se ti je djalë serioz, inteligjent dhe me karakter të fortë. Gjithmonë je shoqëruar me djem e vajza të qëndrueshëm. Në rrethet studentore paraqitej më i pjekur se ata. Gangsterët i shikon me përbuzje. Në shpirt dhe në trup je i ri, të tërheq rinia e, me gjithë atë, komplimentet e disa vajzave mëndjelehta i merr për trashanike. Ke ëndërra e pasione…
Kjo ligjëratë, si një monolog teatror, e flokëthinjurit të njerëzishëm, i bëri përshtypje dyshuese Kingut. Kalimet nga një ekstrem në tjetrin po e torturonin. Pastaj “fisniku” tha ligjëratën e fundit:
– Inteligjenca, fiziku, vullneti, pasioni dhe karakteri i fortë janë tipare të njerëzve të dobishëm. Në qoftë se këto i vë pa rezerva në shërbim të atdheut, bëhej edhe i lavdishëm. Fisniku, ndryshe nga të tjerët, doli, duke i falur një buzëqeshje, pa pritur mendimin e të akuzuarit…
Vizitori i fundit në birucë ishte një shok shumë i rëndësishëm, i cili bëri një bisedë të thellë, gati misterioze për Kingun, si ca fraza në veprat e Marksit, që duhej shumë punë e shumë kohë për t’i komentuar…

Në një stacion të vogël midis Rogozhinës dhe Lushnjë Vasjar Marko Bregu zbriti nga treni. Me vonesë u kujtua të përshëndetej me bashkudhëtarët e kabinës së tij, të cilët e përshëndetën me përzemërsi. Atje e priti po ai person që e priti në Durrës, por tashmë ata hipën bashkë në të njëjtën veturë me xhama të padepërtueshëm nga drita. Në sedilen e pasme, i përkundur nga troshitjet e rrugës, diku e asfaltuar e diku jo, Kingu filloi të dremiste. Shoqëruesi, i ulur në sedilen e parë pranë shoferit, e vëzhgonte vazhdimisht nga pasqyra, me të cilën shoferi kontrollon rrugën prapa. Pa kaluar as një çerek ore ai u hodh përpjetë, sikur ta kishte prekur një gjarpër i ftohtë. Shoqëruesi e vuri re dhe qeshi me zgjimin e llahtarisur të tij. Kingu ndihej në një humnerë pa horizonte. Nuk dallonte dot as kahet e lëvizjes: ecte drejt jugut apo drejt veriut, drejt lindjes apo drejt perëndimit. Në çast iu kujtuan fjalët e vizitorit të fundit ditën e fundit në birucë, pesë minuta para se ta linin të lirë: Për të dalë nga ky ferr, të prêt një provë e madhe, e cila të hap dy perspektiva: ose hero ose qen i ngordhur, i djegur në flakët e ferrit. Ndërkohë shoqëruesi e pyeti se si ndihej. Mirë. Iu përgjigj Kingu. Shoqëruesi vazhdoi bisedën për gjëra të përgjithshme, përshembull për shijet dhe parapëlqimet muzikore. Shoqëruesi ishte një dialogues i aftë. Dinte mirë çfarë thoshte dhe pse e thoshte, ndonëse të folurin e shoqëronte me një buzëqeshje babaxhani dhe me një impenjim të dukshëm për të krijuar përshtypjen, se preokupimi i tij i vetëm ishte bamirësia në favor të atij që e dëgjonte, i cili meritonte (sipas tij) një jetë krejt tjetër nga ajo që bënte.
* * * * *
Dy javë pas largimit të vasjar Marko Bregut nga Qyteti Studenti ishte përhapur gjithandej opinioni se kishte humbur pa gjurmë: ose kishte humbur jetën në rrethana të panjohura ose ishte arratisur ose ishte fshehur diku, gjë që dukej e pamundur, pasi Sigurimi i Shtetit do ta kishte gjetur domosdo, në sajë edhe të ndihmës nga vetë populli. Askush nuk merrte kurajon të shkonte në familjen e tij të pyeste, të ngushëllonte apo të jepte shpresë. Tani familja e tij ishte e sëmurë me lebrozë. Munda të bëja vetëm një takim me xha Gaqin dhe ai m’u duk më i pakuptueshëm se të tjerët, duke më sugjeruar të ikja sa më parë, pa rënë në sy të askujt, që “të mos merrja veten në qafë”.
* * * * *
Tetë muaj, pas largimit të Kingut tek po hyja në godinën 17 të Qytetit Studenti, në një terr të plotë, për shkak të një defekti në rrjetin elektrik, që shumë rrallë ndodhte në Qytetin Studenti, më kapi dikush nga krahu. I befasuar, mbase dhe i frikësuar, u hodha përpjet. Shshshëëëët! Ma bëri personi që më kapi nga krahu. E dallova nga të prekurit, frymëmarrja dhe aroma e trupit të tij se ishte Vasjar Marko Bregu.
Cfarë befasie! çfarë habie! çfarë drithërimash! Ishte krejt e papritur për mua. Si konstandini i legjendës. Tetë muaj pa u parë, pa shkëmbyer asnjë mesazh, tetë muaj pa asnjë njoftim, asnjë dijeni për vëllain tim, Vasjar Marko Bregun. Pas hezitimit e habisë sime, u hodha ta përqafoja. Ai qëndroi shtangur, pastaj u tërhoq prapa.
– Nuk më pyete më parë se ku kam humbur, nga vij e me se jam marrë, para se të përqafosh të vdekurin e ringjallur?! Nuk ke dyshuar tek unë?! E ke humbur vigjilencën revolucionare?!. Unë jam një person i akuzuar për bashkëpunim me agjenturat e huaja, i përjashtuar nga universiteti, i arratisur…, - më tha. – Vëllai nuk pyetet dhe nuk prêt përgjigje, se pyet e flet gjaku, që vlon nga malli, i thashë. U përqafuam e u shtrënguam fort me trupat tanë.
– Dy fjalë sa më shkurt e sa më qartë, se nuk mund ta lëmë Qytetin Studenti pa dritë, – më tha.
E kuptova se fikja e dritave ishte vepër e tij, por se si, nuk e dija. Të themë se nuk m’u rrëqeth trupi, do të isha gënjeshtar. Por ligjërata e kingut donte vëmendje për ta dëgjuar e kuptuar, se rridhte shumë shpejt.
– Kursi i jetës sime, – vazhdoi ai, – ka ndryshuar plotësisht, në kahun e kundërt të asaj që parashikoja. Tani mund të bëhem një çast hero dhe në tjetrin kriminel. Do të urdhërohem të vras njerëz. Mbase të parin gjyshin tim, mbase një ditë mund të urdhërohem dhe për poetin, vëllain tim dhe atëherë do ta kthej plumbin nga vetja ime… Jam në një repart afër Tiranës, por bashkë nuk takohemi dot as si miq. Mësoj e stërvitem për shërbime në Drejtorinë e Zbulimit të Jashtëm.
– Domethënë gjithçka ishte lojë, – i thashë.
– Lojë e imponuar nga rrethanat, – m’u përgjigj. – Në se puna ime do të jetë vërtetë në shërbim të Atdheut tim, siç më thuhet, do të ndihem mirë dhe nuk do të pendohem. Por, me sa kuptoj, puna ime e re dhe e imponuar, nuk është aq e pastër. Në se do të jetë kështu, do të mallkoj ditën që më lidhi me këtë shërbim. Nga pjesëmarrja e pakët imja, pjesëmarrje e provës, nuk dallohet qartë kush është miku e kush është armiku. Vetëm një gjë di qartë, që ti je miku im… Miku im, do të mbaj në dijeni dhe do të jesh në mbrojtjen time dhe të shokëve të mi. Më vjen keq për Masazhierin e Peshkopin, më qan zemra për ta, por unë duhet të vazhdoj të jem i vdekur. Ti po deshe në të ardhmen shkruaj një tregim: “VDEKJA E STUDENTIT”. Por në se një ditë dëgjon se jam vrarë diku si qen, siç ndodhi para disa ditësh me Shpendin, një djalë shumë i mirë e i përkushtuar ndaj Atdheut, ma bëj hallall.

U përqafuam përsëri, u shtrënguam fort dhe iku e më la. Pas pak erdhën dritat. Truri merr flakë kollaj nga loja e përfytyrimeve. Pas kthjellimit tim, më erdhi në mëndje një merak: Cili ishte roli i Elsës në këtë histori? Nndërsa roli i ministrit të fuqishëm, i cili më vonë doli “armik”, tashmë ishte i qartë për mua.
Pas shumë vitesh, me këtë tregim plotësova dëshirën e tij, të cilën e kisha si një amanet të shenjtë.