>
LETERSISHQIP

Kush T’Harroi? (Mitrovicës)

Kush t’helmoi? Kush t’harroi?
Kush të ndau e përçau?
Kush ta la qiellin përgjys
përgjys tokën kush ta ndau?

Kush t’helmoi? Kush t’harroi?
Kush të flaku e përflaku?
Kush ta bani diellin prush?
hanën prush kush ta bani?

Kush t’helmoi? Kush t’harroi?
Në t’kujt dorë ke shërimin?
Kush ta solli mërzinë?
Kush ta la n’gjoks sëmbimin?

Kush t’helmoi? Kush t’harroi?
Kush të la me dy flamuj?
Dy emna kush t’i la?
Ç’dra ‘trazoi shpirtin pafund?

Kush t’helmoi? Kush t’harroi?
Kush ta la ndarjen në urë?
Kush t’i prek’ ato dy brigje?
Kush malcoi tandin nur?

Kush ta ndien ty dhimbjen?
Kush ma shumë sesa un’?!
Kush t’helmoi? Kush t’harroi?
Kush ta la ndarjen në lumë…