>
LETERSISHQIP

S’Mundena Me T’Uru Mirëseardhje Natë

S’mundena me t’uru mirëseardhje natë,
qiell i veshun me t’zeza
se ti vret me t’kast
tremb me pamjen tande pa fluturime zogjsh.

Je shtiake,
me yje ban veç f’tyrë t’rreme..

Mashtrueshëm
i bjen n’menje kujtimet eremitit
copë-copë si pasqyrë e thyeme.

Mirazh t’nji dashnie t’trisht i bjen,
e shushat,
i jep tallaz shtërzimeve t’tij kot,
e marron..

Dashnia te ti s’peshon as nji okë
shkëput yjet pa u puth’,
ia kujton dhimbjet
plagos andrrat
se ai ia din mirë
vujtjen – buzëve t’paputhuna,
angështinë – fjalëve t’pathana

E heshtun sodit masnej
seancën e trishtueshme lotësh
me mjegull balade…

Natë, s’mundena me t’uru mirëseardhje
je llahtari,
vikamën, sëmbimin, ngërçin e shfaq n’shpirtin e vetmuem…

Kot thuren lutjet me fill prej teje
i humb rrugëve tua t’errta papërfillshëm,
i braktisë.

Ti mat veç dhimbjen
shtrihesh mi zemrën eremit si tragjedi
muzgut – n’aktin e fundit
e qon deri n’zgrip t’jetës orgjive…

S’mundena me t’uru mirëseardhje, natë,
qiell i veshun me t’zeza,
veç lutem: ardhsh e bardhë najherë..!