>
LETERSISHQIP
Liridona Shehu

Në Sofër Miqësh

Kurthuar litarëve kanunorë më mbetën,
Copëza të shpirtit, tufaneve, furtunave…
Nëpër shekuj, ëndrrash të përthyera,
Fjala më mbeti peng plagëve…

Haraç u paguaj gjëmave të moçme,
Që lanë amanet këmishën e zezë!
T’i veshim dritës-terrin,
Për një kinse traditë-burrëri!

E unë, trëndafilit të njomë
T’i bëhem gjemb dua!
Syve t’u qëndis ylbere e t’i vesh kaltërsi,
Qerpikut ujëvarën që ta përthaj atë krua!

Në sofër miqësh dua fjala t’i jap zë këngës,
Të marr frymë gjethesh bleroshe,
Petaleve ëndrrabardha të prehem,
Në dritëliri të përkundem valësh!