>
LETERSISHQIP
Martin Cukalla

Ëndërr E Një Rrugicë Të Ngushtë

i kanë çveshur gjethet, gjembat i kanë mbajtur
dhe varen mbi mua ferrat e dendura…
të kisha krahë unë, të kishte krahë shtëpia
do shkoim lartë si zogjtë nëpër ajër e diell.

hendeku është i pistë, i zhurmshëm është çasti.
freski ka, aromë manushaqesh varet poshtë reve….
të kisha krahë unë, të kishte krahë shtëpia
do shkonim lartë si zogjtë nëpër ajër e diell.

dhe deti… ah, deti! i është derdhur mëngjezit,
banor krenar dhe ai, është i qartë për trollin e vet…
të kisha krahë unë, të kishte krahë dhe deti
do ecnim lartë si zogjtë nëpër ajër e diell.

dhe rruga me hark, dhe në vorbull përqark
gjëmba e driza, ferra, shpërgej e gjak…
të kisha krahë unë, të kishte krahë dhe dheu
do ecnim lartë si zogjtë nëpër ajër e diell.

majëmalesh liqeni, qesh dielli i artë, ajri thesar,
argjenton shkëmb e drurë hëna sipër paprerë…
të kisha krahë unë,
të kishte krahë shtëpia,
të kishte krahë dhe deti
do ecnim lartë si zogjtë nëpër ajër e diell.