>
LETERSISHQIP
Miltiadh Davidhi

Djali Dhe Arusha

Prej vitesh kjo fabul më troket në tru,
e më nxit ta shkruaj, ta qëndis për ju.

Në pyllin me pisha e lisa të rritur
Arusha na gjeti një foshnjë të mitur.

E rriti në strofull si birin e vet,
por erdhi një ditë, një ditë, medet!

Djaloshi i rritur i thotë: – Moj nënë,
pse erën e trupit e ke kaq të rëndë?

– Në qafë më plagos! – Arusha i flet, –
dhe ikë larg, o bir, dhe paç veç shëndet!

Pas shumë e shumë vitesh shkon Djali për gjah,
nën hije Arushën të plakur e pa.

E mpakur Arusha dy fjalë i thotë:
– Bir, shenjën e plagës vallë e dallon dot?

Jo shenjë nuk ka, po fjala më dhëmb,
më shpon fort në zemër, tamam porsi gjëmb!