>
LETERSISHQIP
Miltiadh Davidhi

Si Mund Të Rri Pa Ty, I Vetëm?

Si mund të rri pa ty, i vetëm?
Jo, jo, të lutem, mos u largo,
S’jam yll i ftohtë, kam një zemër,
Dhe ajo, aq shumë të do!
Si mund të rri pa ty, i vetëm
Pa ty, që tani trupi m’u ftohë,
S’ke pse të ikësh me patjetër,
Pa ndizma shpirtin e më ngroh!
Si mund të rri pa ty, i vetëm?
Kurrë vetmisë, mos ju gëzo!
S’jam qiell i ftohtë, kam një zemër,
Ktheu më puth’ e më përqafo!
Si mund të rri pa ty, i vetëm?
Pa ty, që tani zemra m’u ftohë,
Pa ty do vdisja me patjetër,
S’ka diell në botë, që më ngrohë!
Si mund të rri pa ty, i vetëm!
Në gjak shpërtheu një zjarr i ri,
S’mund të ndërroj me një tjetër,
Ndryshe, do të vdisja, që tani!




Ndizni dritat e shpirtit
o njerëz të mjerë!
I ndeza të gjitha dritat,
E bëra shpirtin diell,
Dhe natë, s’kish më natë,
As në tokë, as në qiell,
Se është shpirti ai,
Që e mbush ditën me diell,
Që e zhduk errësirën
Në tokë edhe në qiell.
Ndizni dritat e shpirtit,
O njerëz të mjerë,
Largoni nga trupi të keqen,
E qeshni si përherë,
Se shpejt troket dimri,
Me ngrica edhe me erë,
I mjerë çel trëndafili,
Mbi varrin tënd të mjerë!