>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

Në Emër Të Kanunit Apo....... Të Kaosit?

Njerëzimi rrugëtoi nëpër shekuj me dëshirën e mirë për zhvillim dhe komoditet në të gjitha fushat dhe për të pasur një udhërrëfyes për ta drejtuar nëpër binarët që do të shtroheshin nga njerëzit të cilët përbënin elitën e shoqërisë njerëzore. Edhe kombi shqiptarë rrugëtoi nëpër shekuj e mijëvjeçarë po me dëshirën e mirë për zhvillim, komoditet, kulturë e qytetërim, gjë që e arriti ka mbi katërmijë vjet qytetërim dhe komb shtetformues. Shtrimi i binarëve për lëvizjen e trenit të kombit shqiptarë kaloi shumë peripeci të cilat u stimuluan nga kushtet dhe pozita ku shtrihej hapësira gjeografike ku jetonte dhe vazhdon të jetojë kombi shqiptarë. Binarështruesit shqiptarë nëpër shekuj u përballën me të gjitha vështirësitë që mund të shfaqen në rrugët e pashkelura nga njerëzimi, por që kjo është një fenomen i pashmangshëm natyrorë, gjë që koha kërkoi që binarështruesit të kishin një udhërrëfyes që do të mund ti drejtonte këta të fundit me dinjitet dhe largpamësi nëpër shtigjet e pashkelura të kohës. Kombi shqiptarë gjatë shekujve e mijëvjeçarëve u sulmua dhe u masakrua nga shumë kombe të paqytetëruara, por që kërkonin që të shtrinin sundimin e vet në territoret që lakmonin. Kombi shqiptarë si një komb me dinjitet dhe i pa nënështrueshëm, kësisoj i pa asimilueshëm arriti të mbijetojë nëpër shekuj e mijëvjeçarë, me identitet dhe dinjitet, gjithsesi kjo falë elitës së tij që për mbijetesë formoi shtet paralel me pushtetin e pushtueseve. Tradita shqiptare për shtet paralel për të mos e njohur pushtetin e pushtuesit edhe në kohët moderne dha rezultat triumfues në Kosovë, ku pas tetëmbëdhjetë vjet shtet paralel me okupatorin Serb, u arrit që të legalizojnë shtetin e tyre të pavarur dhe sovran.
Legalizimi i një ligji të njësuar u arrit të bëhej realitet nga pinjolli i familjes princërore të Dukagjinëve, pra nga i mirënjohuri Lekë Dukagjini, ku ky i fundit mblodhi me kujdes dhe me profesionalizëm të gjitha të drejtat zakonore të Shqipërisë së veriut dhe sidomos të malësisë së saj që është edhe simboli i rezistencës dhe i identitetit tonë kombëtarë. Lekë Dukagjini mblodhi me kujdes të drejtat zakonore pothuajse të të gjitha krahinave të veriut të trashëguara në shekuj e mijëvjeçarë, duke i përpunuar dhe pasuruar në mënyrë profesionale (juridike), mund të quhet me plot të drejtë kështu, duke i përmbledhur në një kod të vetëm që e mori emrin "Kanuni i Lekë Dukagjinit", fjala kanun vjen nga fjalori i greqishtes së vjetër, "kanon", që në shqip do të thotë, "ligj". Kanuni i Lekë Dukagjinit u bë shumë shpejt udhërrëfyesi i shoqërisë shqiptare, kështu duke u shkëputur nga ligjet dhe fermanët e mbretërve dhe sulltanëve që sunduan Shqipërinë për gati pesëqind vjet rresht. Fuqinë e tij ligjore kanuni i Lekë Dukagjinit e ka shtrirë që nga trevat e Mirditës që ka qenë epiqendra e interpretimit në mënyrë të përpiktë të kanunit, trevat e Dibrës, e gjithë Shqipëria veriore përfshi edhe Shkodrën, e gjithë Kosova dhe pjesa më e madhe e trojeve shqiptare që janë nën juridiksionin e Maqedonisë së sotme.
Në kanun janë përpiluar me kujdes të gjitha fushat ku mbështetet aktiviteti jetësorë njerëzorë, duke filluar që nga aktiviteti ekonomik, që në kanun identifikohet me arën, mullinin, vathin dhe kopshtin. Nga aktiviteti shpirtërorë e kulturorë që në atë kohë identifikohej me kishën katolike, sepse në atë kohë i gjithë kombi shqiptarë ishte i krishterë, sepse islamizimi i kombit shqiptarë ka filluar në fund të shekullit të XVI-të ose në fillimet e shekullit të XVII-të dhe më kryesorja është aktiviteti administrativ, politik dhe social, nga ku shtjellohet në një pjesë të konsiderueshme të kanunit. Në këtë pjesë të kanunit shtjellohen në mënyrë të detajuar, që nga ndarja administrative e territorit, përbërja e qeverisë vendore dhe përfaqësimi në këtë qeverisje vendore e të gjitha shtresave shoqërore që përbënin shoqërinë njerëzore të asaj kohe, duke filluar nga prijësit e bashkësive lokale që më vonë u quajtën bajraqe dhe prijësit e tyre u quajtën bajraktarë, pleqtë që përfaqësoheshin nga fisnikët, njerëzit e ditur, të pasurit dhe strapleqt që përfaqësonin shtresat e ultë të shoqërisë së asaj kohe. Në aktivitetin social shtjellohen me imtësi të gjitha marrëdhëniet njerëzore, që nga marrëdhëniet brenda familjes që përbënte dhe vazhdon të përbëjë qelizën (bazën e jetës) të shoqërisë njerëzore shqiptare e më gjerë e deri tek marrëdhëniet në mes fshatarëve e bajraqeve. Pjesa më e prapambetur e kanunit është shtjellimi i figurës së femrës, por duhet patur parasysh se niveli kulturorë i shoqërisë shqiptare dhe më gjerë ishte i një niveli shumë të ulët dhe po të kemi parasysh se familja shqiptare ishte patriarkale, pra përbëhej nga shumë kunorë, ku shtëpia administrohej nga i zoti i shtëpisë që ishte mashkull dhe kishte tagër në të gjitha fushat e aktivitetit jetësorë të familjes dhe nga e zonja e shtëpisë, por kjo e fundit kishte tagër shumë të kufizuar. Po vijmë tek pjesa më e prekshme për shoqërinë njerëzore, tek ndëshkimet në rast të shkeljes së normave të shoqërisë njerëzore të vendosura në kanun, ku mund të përmendim, vjedhjet, fyerjet, përdhunimet dhe vrasjet.
Në shekullin e XXI-të që sot po jetojmë, në Shqipëri kanë marrë përmasa të frikshme ngujimet e grave dhe të fëmijëve, gjoja në emër të kanunit. Vrasjet, që nga vrasjet për motive të dobëta që vijnë nga sherret e çastit më shumë nën efektin e alkoolit, nga vrasjet për grabitje dhe vrasjet për nder që përfshin, vrasjet për rrëmbimin e femrave për ti shfrytëzuar për përfitime ekonomike (prostitucioni), për përdhunime, etj. Por çdo vrasje ka kundërveprimin e vet, pra gjakmarrjen, ku shqiptarët e anashkalojnë shtetin pavarësisht se është shtet i shqiptarëve, që e mbajnë me taksat e tyre dhe nuk i njohin burgimet që jep ligji shtetërorë. Për rrjedhojë kundërveprimi ndaj këtyre krimeve njerëzore po trajtohet, jo sipas së drejtës kanunore por sipas instinktit hakmarrës në gjendje emocionale, që në shoqërinë shqiptare kjo gjendje zgjat shumë, me vite të tëra, pavarësisht se në kanun, që është shkruar ka mbi pesëqind vjet më parë, gjendja emocionale duhet të zgjasë deri në njëzetë e katër orë. Shqetësimi më i madh është që po shndërrohet në epidemi ngujimi i grave, i fëmijëve dhe i të afërmeve që nuk jetojnë ndoshta me vite të tëra me dorërasin (kriminelin), gjoja në emër të kanunit. Me të vërtetë në kanun thuhet: "Gjakun e lanë edhe fëmija i djepit", kjo për ti tërhequr vëmendjen familjes së kriminelit se ke bërë një krim dhe se duhet të penalizohesh për këtë që ke bërë, por kjo nuk do të thotë se duhet të vriten fëmijët që në djep, por kanuni e përcakton qartë se gjaku merret vetëm kur vritet mashkulli që është rritur dhe është i aftë ta mbajë dhe ta përdorë vetë armën, ndërsa po u vranë gratë dhe fëmijët e mitur, nuk ke marrë gjakun, por sipas kanunit ke ra në gjak. Në kanun përcaktohet qartë edhe konvertimi i gjakut, në para ose mall, ku edhe këtu gratë penalizohen ku gjaku i gruas është sa gjysma e gjakut të burrit, por kanuni gratë dhe fëmijët i liron nga ngujimi, pra kjo kategori e brishtë e shoqërisë njerëzore mbrohet rreptësishtë nga kanuni i vërtetë i Lekë Dukagjinit. I preka këto fragmente nga kanuni për parantezë. Kanuni i Lekë Dukagjinit që ka hyrë në fuqi ka mbi pesëqind vjet, sot në shekullin e XXI-të po keqinterpretohet ose më sakët po denigrohet dhe po bëhet një gangrenë e pashërueshme në shoqërinë e sotme shqiptare, kjo pasojë me përmasa tragjike vjen si shkak i kalimit të shoqërisë shqiptare për një kohë shumë të gjatë nën një diktaturë të egër ku çdo gjë mohohej, deri edhe Zoti.
Sot me interpretimin e kanunit po merren më shumë ata që e mundën Lek Dukagjinin, ata që e grisën kanunin dhe vranë në emër të ligjit, të ati ligji që e shkruan pa pyetur njeri, por sipas instinktit të tyre ku ata ishin gatuar, ata po e interpretojnë tamam si në kohën e tyre kur e interpretonin për ta mundur atë. Një regjim diktatorial për ta mbajtur sa më gjatë pushtetin gjëja e parë që bëjnë kur vijnë në pushtet është, mohimi i çdo gjëje ligjore, nga ku kombin që e sundojnë në fillim e tjetërsojnë, më pas e shfytyrojnë dhe në fund e denigrojnë duke e kthyer në një robot gjigand ku i instalojnë vetëm një program, atë të përuljes ndaj pushtetit, të punuarit pa fjalë dhe ku pronën e shpallin armikun më të egër. Pasojat post diktatoriale që po përjeton shoqëria shqiptare, janë tragjike, po humbin shumë jetë njerëzore të pafajshme, po ngujohen shumë gra e fëmijë, deri edhe pushtetarë, për rrjedhojë po shtohen me përmasa të frikshme analfabetët, këta analfabetë po shtohen jo si rezultat i rënies së interesit për tu arsimuar, por si rezultat i detyrimit me forcë, pra një segment drastik diktatorial, për të paguar haraç për fajet e të rriturve. Për ti prerë rrugë këtij fenomeni anti njerëzorë, që nuk është i mbështetur as në ligj dhe as në kanun, por mund të quhet me plot të drejtë kaos, duhet të merren një sërë masash drastike nga shumë organizma. Duke filluar nga instituti i historisë, arkivi i shteti etj, për të hulumtuar në mënyrë shkencore dhe për të nxjerrë në dritë ligjet e vërteta të kanunit të Lek Dukagjinit, fakultetet juridike dhe organizmat e tjerë të jurisprudencës për të bërë interpretimin shkencorë e profesional të paanshëm të kanunit. Është për të ardhur keq që në fakultetet tona të jurisprudencës po studiohen ligjet antike të Egjiptit të lashtë, të Babilonit e Romake dhe anashkalohet kanuni i Lek Dukagjinit, një kod ligjorë që ka drejtuar kombin tonë për afro pesëqind vjet me radhë, paçka se kanuni i Lekës po studiohet në shumë universitete më në zë Evropiane e më gjerë, madje edhe në Japoni po studiohet kanuni i Lekë Dukagjinit dhe po shkruhen libra me temë studimore për të. Gjithsesi, për sa thamë më lart kanuni i Lekë Dukagjinit mbetet një thesar i pa çmueshëm në fondin etno-kulturorë të kombit shqiptarë, por jo me interpretime sipas dëshirës së njërit apo tjetrit, apo sipas dëshirës së disa pseudostudiusëve, që dikur e mundën Lekë Dukagjinin dhe që ia grisën kanunin, që për të bërë të mundur shitjen e librave ose më sakët, të fletushkave të tyre të pa vlera, po bëjnë një dëm të pariparueshëm në brezat e rinisë dhe brezat e ardhshëm. Por duhet një interpretim shkencorë e profesional, që nga instituti i historisë, arkivi qendrorë i shtetit, fakultetet e jurisprudencës e deri tek etnografët e juristët më në zë të kombit shqiptarë.
Lezhë 2008