>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

Vendlindja Ime

Vendlindja ime,
shtrihet si përrallë n’luginë,
rrezet e diellit e puthin,
ajo i përqafon,
e unë ndriçoj bashkë me to.

U flet erërave:
“shpirtin s’mund t'ma ngrini”,
u flet reve:
“s’mund të ma errni dritën”,
i flet natës:
"s'mund t'ma ftohësh mallin".

Vendlindja ime,
këtu nisa të end ëndrrat e para,
këtu njoha dashtninë si zjarr nan lëkurë,
këtu mësova se shpirti ka krahë.

Këtu mendja ime
shpërthen si zog i liruar nga kafazi,
këtu zemra ime
rreh si kambanë që nuk dorëzohet.

Vendlindja ime,
e rrethu me male si gjeneralë t'heshtun,
me ballin mbi re,
duke fol përjetësisht me diellin.

Në mes t'saj lumi
rrjedh si damar i kaltër gjaku,
e flladi i luginës
vallëzon mbi plagët e tokës sime.

Djemtë, yje t'pashuar,
ngjiten n'pyje me zemër kryengritëse,
për t’i dalë zot këtij dheu
që nuk shitet kurrë.

Vajzat sybojëqiellta,
si kangë që lind me erën,
nëpër lëndina t’blerta
Vallzojn me pranverën.
1984