>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

Lahuta E Malsisë

Sa herë prek telin e lahutës
m'del përballë Ati i kombit,
Gjergj Fishta,
me vargjet që shpërthejnë
si stuhi diellore
drejt pafundësisë.

Tingujt e lashtë t'lahutës,
po aq të vjetër sa njerëzimi,
valëviten me ritmin e kohës
që kurrë nuk plaket.

N'duart e lahutarit
teli ndizet si vetëtimë,
oshtin si gjëmim stuhie,
si murlan që përplaset maleve,
fuqi që tund e shkund,
por nuk shihet.

Gjëmojn kullat prej guri,
oshtijnë vargjet n'gojë t'lahutarit,
valëzojnë si flamur n'erë.

Herojtë e kombit radhiten një nga një:
Gjergj Kastrioti
me princat arbnorë,
n'Lissin e lashtë
kur bashkoj kombin.

Oso Kuka me dyzet trimat,
ku kullën e tij n'Vraninë
e shpërtheu si diell,
duke lënë armikun hi e pluhun,
e vetë me t'dyzet burrat
u ngjit n'qiell.

Vjen Preng Bib Doda
me mirditorët
që i than jo,
sulltanit t'Anadollit.

Plaku i Vlonës me flamur,
për mas tij Isa i Boletinit
me Dardani.

Dr. Ibrahim Rugova
me shpatën prej fjale
që shkriu mure,
e bashkoj një komb.

Adem Jashari me 58 robt e tij,
kur kulla e Prekazit me flakën e saj
verboj armikun gjer n'vdekje.

Vjen shejtnesha Nobeliste
firmëtare e paqes,
Nana Tereze, shqiptarja
që bekoj e shëroj një glob,
që lartësoj një komb.

Vijn me radhë trojet ilirjane,
nan kubenë e qiellit lashtë pellazgjik:
Vranina me Malsi,
Dardania me Luginë,
Shkupi me Manastirin e ABC-së,
e Çamëria shtri brigjeve t'Jonit.

Dhe kombi pisket
n'telt lahutës,
zanin Evropës ia lëshon:
Jemi një komb,
kemi një gjuhë,
kemi një besë,
kemi një atdhe.

Edhe të vegjël,
bashkë jemi të pathyeshëm.
Të ndarë, vetëm hije.