>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

Kanga E Yjeve

Lart,
qielli asht i tejdukshëm,
i veshun me rrobat t'kaltra t'profetëve,
që enden ndër galaktika
si psalme të pambaru.

Çdo yll asht lutje e ndezun,
shpia jonë n'amshim,
një kandil që nuk shuhet kurrë.
Konstelacionet janë duar t'ngrituna,
errësina asht një altar i pashuar.
Dhe unë, një qiri i vogël,
flakërohem për një çast
në këtë katedrale të pafundme.

Universi nuk më gjykon,
ai veç m'pret,
si Ati i përjetësisë
që më thërret tek drita.

Atëherë e kuptoj:
Unë jam plagë dhe dritë,
shkamb dhe det,
heshtje dhe yll.
Jam pelegrin i galaktikave,
që ecën nëpër kryqëzimet e yjeve
derisa t'shuhen n'burimin e vet.