>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

58 Jasharët E Prekazit

Në mesnatë,
një kullë u ndez si diell.
Hija e armikut u shkrumbua
në dritën e saj.

Ne jemi ai zjarri
që s’ka ujë ta fikë,
jemi fryma që ngjitet
nga toka te yjet.

Në damarët tanë rrjedh
Iliria e lashtë,
kanga e shpirtit arbën,
me Kastriotët
që s’harrohet.

Në zemrat tona rreh Dardania,
Shqipnia,
Malsia, Ilirida e Çamëria.
Ne jemi Jasharët
yje që ndritin qiellin e shqiptarisë.

Ne jemi Prekazi,
zemëra prej çeliku
që rrahin për mijëra.

Nuk jemi vetëm emëra,
as vetëm trupa.
Jemi udhë,
jemi besë,
jemi kujtesë.

Kur nata bie,
ne shndrisim në qiellin e shqiptarisë
58 yje që s’kan perëndim.