>
LETERSISHQIP
Sofia Nako Susac

Meditim

Ecja kuturu,
mbi çarçafët e bardhë të sapo-shtruar
ëndërrës,
gjumit tim të parë.
Me majë gishtash
përpiqesha, trëndafilat të mos prekja
vendosur me delikatesë rradhë-rradhë,
në kohë të shkuar, kur me shoqe mblidheshim të qëndisnim pajë.

E bukur ajo kohë ëndërrash vajzërore ku gjëmbat,
trupin e trëndafiltë nuk na kishin prekur asnjërën,
mendoj unë tani...

Gjaku ka ngjyrë të kuqe,
dhe nëse padashur do të shpoheshim,
do pinim të njëra-tjetrës, motra të bëheshim
mbase ndonjëra nga ne, një të vërtetë nga babai,
nuk do ta kishte...

Shpenguar hidhja hapat mbi çarçaf,
kujdesin për trëndafilat, nuk e kisha më,
gjakun e kisha ndjerë, shumë vite më parë
dhe petale mbi të bardhë kisha shpërdarë.

Pranvera më e brishtë vjen qytetit tim,
atij të adhuruarit, që unë kam shumë mall
dhe nëse gjëmbat e trëndafiltë mbi çarçaf
sonte të gjitha të më shpojnë,
buzët e kuqe do t'i lyej mengadalë
dhe ti ruaj kur të kthehem tek ty, sa më parë...!