>
LETERSISHQIP

Varrezat E Fjalëve

Si vetë njerëzit edhe fjalët e një jete,
shpesh varrosen, kur janë krejt të kota.
Aq sa ka tretur dheu kufoma, skelete,
aq herë më tepër fjalë, ka varrosur koha.

Por ndryshe tek ne, nga varret e vjetër,
nxirren kufoma fjalësh për në media,
kur mençuri të reja, ka në internet e letër,
sa mund të mbulohen malet me gazeta!...

Ka njerëz që fare kot lodhin trurin,
duke dërdëllitur fjalë pa asnjë interes,
sa të dhëmb koka, se me to të sëmurin,
me halle karrigesh, që në mëngjes.

Teksa ti i lodhur, më tej s’i dëgjon
dhe fjalët rrjedhin, si strehe hauri,
ato kullojnë e bien poshtë, deri vonë,
në varrezat e fjalëve, pa dy koka guri...

Ruhen të balsamosura fjalët e të parëve,
mençuritë e prijësve të mbarë njerëzimit,
thëniet e shkencëtarëve dhe shkrimtarëve,
që mbjellin farën e zgjedhur të mendimit.

Jetojnë fjalët madhështore të sovranit popull,
shprehur me urtësinë dhe votën vendimtare,
kur shpërthen dialektet nga Vermoshi në Dropull
dhe shkruan faqet e reja të historisë kombëtare.