>
LETERSISHQIP

Skulpturë E Lashtë

Më bën të magjepsem, ti skulpturë e lashtë
Ky  trup i lëmuar, porsi i bardhi  mermer
K’ta  sy rrezëllues më shpojnë gjer në asht
Flakerimë më bëhet trupi, çmendurinë nxjerr.

Oh, kjo buzëmbla jote, që lëngje kullon
Kjo lëkurë si kushtrim më ndjell që ta prek
Një ndjenjë e thellë tundimin seç më zgjon
Si një marinare e etur, gjithë trupin  të ndjek.

Si një ishull  i purpurt me ndjenja të nxehta
Në tëndin  trup dua të futem brënda
Të afrohem etshmëm me duar të lehta
Të strukem tek ti, ah, ç’ma ka ënda!

Të ndjesh brënda vetes, zjarminë time
Të mbyllësh sytë, në qiell si zog të fluturosh
E unë mbi ty të shkrihem, të bëhem thërrime
Ndërsa ti me puthje trupin të më përshkosh.

Ah, ja, sa bukur bashkë po rrimë
Të lumtur të dy dhe vetëtimat sfidojmë
Me njëri-tjetrin sonte shkëmbejmë dashurinë
Dhe pas çmendurisë ëndrrat tona zgjojmë.

Qetësi. Vetëm frymëmarrjet tona dëgjohen,
Ti ashtu lehtë mbi gjoksin tim ke rënë,
Sërish buzët tona ngadalë afrohen,
Nuk flemë…Na ndjek lart qielli dhe e bukura hënë...