LETERSISHQIP
Albert Zholi

Barba Mihali Me Gjuhën E Konicës

-skicë letrare-

Para një viti e kisha pësuar vetë. Punoja në një supermarket, por s’e pata të gjatë. Një shoku im, që unë e pandehja shok, i pësh-pëshi në vesh pronarit: " Ai është mysliman... merret edhe me politikë...është me atë partinë e opozitës, dhe këta të opozitës... edhe punë më shumë ne se ai..." Këto e ca të tjera nga ai që unë e quajta shok dhe mua më fluturuan nga puna...Por si ky fat nuk më ka gjetur vetëm mua...Kur punoja provizorisht, në një dyqan cokollatash, Barba Mihali, përgjegjësi i turnit, më tha:

-Alberto, dua të bisedoj pak me ty.

Menjëherë e keqja më erdhi në tru, se pe i këputur jemi ne refugjatët.

-Si të duket ai Ilia?-më pyeti barba Mihali.

-Mirë!- i thashë pa e menduar se ku e kishte hallin përgjegjësi.

-Në Shqipëri c’punë ka bërë?

-Nuk e di – iu përgjigja dhe prisja se ku do të delte tymi...

-Po emrin Ilia e ka pasur dhe atje?

-Në Shqipëri nuk e kam njohur, por sa e njoh këtu, është djalë i mirë dhe më punëtori nga ne...

-Eh, ju disa herë të keqen e kini nga vetja – foli barba Mihali dhe u largua...

Tre ishim ne që punonim me barba Mihalin, Ilia unë dhe Andoni...

Andoni? Epo, ja unë, ja Andoni ka folur për Ilian...

Më bënë përshtypje fjalët që më tha barba Mihali, më foli me gjuhën e Konicësë: " Shqiptarit, nga shqiptari i vjen e liga..."