>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

E, Ç’I Duhet Shqipja?!...

Atë të dielë kopështi zoologjik i Athinës kishte më shumë vizitorë. Unë kisha vendosur që të shlodhesha pranë kafshëve të rralla, duke menduar se do e kapërcerja dot ankthin e mos lirisë së tyre. Kafshët, që do të shihja, ishin nëpër kafaze, larg pyjeve, kopeve, familjeve, e shqyrjeve ulërimave. Larg të gjitha atyre që i bëjnë ato kafshë. Shikoja me radhë dhe mendimet më shkonin tek origjina e jetës...Edhe kafsha nuk është më kafshë, mendova. Njeriun, për para e për qejf jo vetëm jetën e njerëzve, s’di c’ta bëjë, por edhe të kafshëve. Njeriu jeton sic do paraja, edhe kafshët jetojnë sic do paraja e njeriut" Mendoja kot duke shikuar kafshët.

Nga ajo botë mendimesh më nxorri përballja me një shokun tim, i fola sa e pashë, sikur doja të shpëtoja nga ato mendime, që më rëndonin në tru. Agimi mezi reagonte dhe më zgjati dorën si me përtesë. Me dorën tjetër mbante një fëmijë 6-7 vjecare, të bukur e të shëndetshëm.

E justifikova ftohtësinë e tij. Kanë halle njerëzit mendova.Në këtë kohë nuk gjen njeri pa halle. Vetë jeta prej refugjati është hall. Agimi kishte mbaruar shkollën për inxhinier ndërtimi dhe qe i zoti në zanatin e tij. Ishte edhe i zoti i fjalës. Më kishte rënë rasti ta dëgjoja në zbore ushtarake, kur fliste pr Luftën Nacionalclirimtare, për mbrojtjen e atdheut e patriotizmin...Nga më të dalluarit e komisarëve ishte...Për të dalë nga ajo gjendje zymtësie apo për t’i dhënë pak dritë takimit tonë, në këtë takim të pas kaq shumë vitesh, në vends tjetër e në rrethana të tjera, përkëdhela fëmijën e tij dhe e pyeta ëmbël: " Si të quajnë"?- vogëlushi më shikoi si i habitur pastaj hodhi sytë nga i ati.

- Shkon në shkollë?- pyeta përsëri unë, duke e kapur lehtë nga faqet, për t’i zhveshur ndrojtjen e mospërgjigjes.

-Andon, xhaxhi të pyet se si e ke emrin dhe a shkon në shkollë- foli baba Agimi në gjuhën greke. Fëmija u cel në fytyrë dhe u përgjigj në gjuhën që e pyeti i jati:

-Më quajnë Andon dhe jam në klasë të parë.

Djali, I kënaqur nga përgjigja që dha, buzëqeshi dhe bëri disa lëvizje të pëpaërcaktuara me duart e vogla.

- Si? Nuk di të flasë shqip?- pyeta unë i cuditur, më tepër nga ajo që babai i tij ishte Agimi, inxhinier Agimi, fjalëshumë Agimi, që bënte be për gjuhën shqipe e për Atdheun, pastaj për kokën e nënës së tij...

- E, ç’i duhet shqipja?!- foli Agimi me aq lehtësi, sikur të thoshte " ç’e do duhanin?! Të bën dëm po ta pish" Pastaj si për t’i dhënë më bindje fjalëve që tha vazhdoi: - Apo t’i thonë shokët " alvanos".

- Eh, Berti i dashur, kanë ndryshuar kohët...Fëmijët duhet t’i përshtaten sa më mirë ambjentit ku jetojnë...Pastaj nocioni Atdhe apo Komb ka ndryshuar. I kanë humbur vlerat fillestare, arkaike.

Ai vazhdoi të fliste, me të njëjtën pasion sic fliste të kundërtat para disa vjetësh, por unë nuk mund ta dëgjoja dot më. Veshët vetëm më thithnin copa fjalësh pa kuptim. Hodha sytë nga kafazi përballë, por edhe kafsha, muze përveshi buzët, sikur donte të më përqeshte mua njeriun...

Athine 1999