>
LETERSISHQIP
Behare Daja

Blerim Shpirti

sime bije
100 i paç në të bukurin shpirt!

Më erdhe në këtë jetë
si lulekuqe fushe
mes kallëzave të ngrunjta,
si dallandyshe pranvere,
që mes cicërimave përkëdhelëse,
të fton mes ritmit të jetës,
e unë nëna jote,
mes jermit,
ta dëgjoja zëthin e brishtë
tek më kërkoje
me buzkat e njoma fildish
qumështin e jetës.

Mes ëndrrash
të mora në krahë,
të putha, të ledhatova,
të pushtova me shpirt
se kisha frikë
mos nga krahët e mi
të rrëmbenin
dhe iknin…
…thonë që është depresion
pas lindjes…

E pra, unë kisha frikë
për ty bija ime.

Më erdhe në jetë
në këtë ditë të qershortë
dhe buzëqeshja pash më pash,
m’u u nder times fytyrë,
e bashkë me ty,
qaja dhe unë,
e bashkë me ty,
qeshja dhe unë,
qanim e qeshnim
njëkohësisht
të dyja bashkë,
unë nëna,
dhe ti fëmija,
të dyja të vogla në shpirt.

Më erdhe në jetë mes krahësh,
e mes krahësh u rrite,
pranë të pata çdo çast,
natyrshëm fluturuan
orët, ditët stinët e vitet,
dhe ti u rrite bija ime,
si princeshë më je,
me më të bukurin shtat,
me më të bukurin vështrim,
me më të ëmblën dashuri.

…fluturo tani bija ime,
stinët e blerta qofshin me ty…