>
LETERSISHQIP

Para Se Të Të Njihja Ty

…e panjohur
ishte gjithçka për mua,
e trishtë, e ftohtë,
akullnajë Himalajeje ishte.

para se të të njihja ty,
nuk i vija re lulet,
tani për to kujdesem si fëmijë,
e çdo mëngjes t’i dërgoj
në vend të përshëndetjes.

para se të të njihja ty,
nuk e vëreja hënën
në shtratin e qiellt.
tani me orë të tëra
rri e vështroj
mos këputen yjet,
e dëshirat
më mbeten pa thënë.

para se të të njihja ty,
çdo gjë e huaj ishte për mua,
e tjetërsuar,
tani i buzëqesh edhe ajrit
tek më flladit fytyrën.
me gishtërinjtë e tu
ledhatarë më duket.

tani që të njoha ty,
i njoh të katër stinët,
dhe me ngjyrat e tyre
plotësova 365 ditët e mia.

…tani që të njoha ty, je pjesë e ditëve të mia…