>
LETERSISHQIP
Behare Daja

Ne Gratë

Unë jam gruaja
që ju jeni mësuar
ta shihni çdo ditë
tek lan rrobat,
tek hekuros,
tek lan shtëpinë
e kujdeset për fëmijët.

Po, po, të gjitha
i bëj për çudi
dhe aspak
nuk lodhem,
se shpirti im
është shpirt fëmije,
fëmijët nuk lodhen kurrë
për çudi.
Po pra, e tillë jam dhe unë.
Të tilla jemi NE.

Unë jam gruaja
tek zgjohem
para teje
çdo mëngjes,
nuk ka rëndësi
kur fle,
sa fle,
e sa orë
pas teje shtrihem,
rëndësi ka
që para teje zgjohem
dhe të gjitha i stis.

Unë jam gruaja
që pranë teje
shtrihem në shtrat
dhe burim uji
të bëhem
e flladin e shpirtit
të ndjesh si fëmijë.

Unë jam gruaja
që çdo ditë
shkoj në punë,
trishtimin
pas derës
së klasës lë
dhe me vello
buzëqeshjeje
vishem.
A jam hipokrite?
Jooo, nuk jam,
sepse shpirtin
e kam fëmijë,
dhe për çudi
fëmijët
qajnë e qeshin
njëkohësisht.
E tillë jam unë.
Të tilla jemi NE.

Unë jam gruaja
që mburojë
u bëhem
atyre fëmijëve të botës,
nxehem me ta,
ashpër u flas,
me butësi u flas,
me përkêdhelje u flas.
A jam e keqe?
Jooo, jam me shpirt nëne
dhe nëna është kudo,
në shtëpi,
në park,
në market,
në bashki,
në qeveri,
por është nënë
për çdo fëmijë.

Unë jam gruaja
që zërin
e kam bishë
për padrejtësitë.
A jam hipokrite?
Jooo, adhuroj drejtësinë.

Mos më quani të dobët
nëse ndonjëherë
dal nga vetja,
mos më quani,
sepse edhe gruaja
është Njeri!